Topi: “Si politikan jam pro hapjes së dosjeve, si President do të flas me dekret”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur pro hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, por nuk ka komentuar projektligjin e paraqitur në Kuvend nga Partia Demokratike. Topi është shprehur se si politikan mbështet procesin e hapjes së dosjeve, ndërsa si President do të flasë nëpërmjet dekretit. Kjo përgjigje e kreut të shtetit krijon dyshime nëse Presidenti e mbështet ose jo projektligjin e shumëdebatuar që është paraqitur në Kuvend nga PD-ja.
“Unë, në natyrën time, nuk bëj koment mbi komente, por, duke qenë gjithmonë në një pozicion respekti ndaj medias dhe transparencës publike, do të bëja thirrje që t’i ktheheni arkivës. Secila nga mediat ka arkivën e vet dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia përsa i përket çështjes së dosjeve. Në rast se do të më pyesnit si politikan, gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht që ai që kërkon të bëjë karrierë, natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale. Për të folur si President pastaj, si President unë flas nëpërmjet dekretit”, - është shprehur kreu i shtetit.
Veliaj: “Berisha s’ka moral për dosjet, projektligji për të mbrojtur korrupsionin”
Lëvizja G99 ka reaguar ndaj projektligjit të dosjeve. Kreu i G99-s, Erion Veliaj, tha se kryeministri Berisha nuk ka moral për dosjet dhe se ky projektligj i shërben mbrojtjes nga drejtësia të tij dhe të ministrave të tij për aferat korruptive që ka shkaktuar qeverisja aktuale. “Na duket absolutisht e pamoralshme që një ish-sekretar partie abuzon me viktimat e të kaluarës për të shpëtuar viktimat legjitime të drejtësisë së sistemit të sotshëm demokratik. Z. Berisha ka të përfshirë djalin e tij në çështjen e Gërdecit; z. Berisha ka të përfshirë vajzën e tij në çështjen e sekserit Fazlliç, z. Berisha ka të përfshirë ministrin e tij të preferuar, Lulin, në çështjen e rrugës Durrës-Kukës; z. Berisha ka përfshirë veten dhe rrethin e tij të ngushtë në aferat më të mëdha që po investigohen tani. Të përdorësh si ish-komunist fatkeqësinë e viktimave të së kaluarës, për të shpëtuar lëkurën e atyre që ndiqen nga drejtësia e sotme, është absolutisht e pamoralshme dhe është një shfaqje që shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë”, - tha Veliaj. Ai u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë projektligjin aktual.
23 Dhjetor 2008