Rama: “Berisha, gënjeshtar dhe qesharak në sytë e ndërkombëtarëve”
Kreu i PS-së: “Jemi për hartimin e një ligji me standarde europiane”. Rama: “Berisha të kërkojë ndjesë për sjelljen e tij joserioze”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dënuar qëndrimin dhe deklaratat e kryeministrit Sali Berisha për votimin me çdo kusht të projektligjit të PD-së për dosjet. Sipas Ramës, qëndrimi i kryeministrit Berisha bie ndesh me deklaratën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila e kishte cilësuar këtë projektligj antikushtetues. Rama e quajti të turpshme deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili kishte mohuar telefonatën e zyrtarit të lartë amerikan Frid, që kishte shprehur shqetësimin e drejtpërdrejtë për projektligjin. Kryetari i Partisë Socialiste tha se Berisha është kthyer në një gënjeshtar dhe qesharak në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. “Që kryeministri ynë është gënjeshtar i pashoq këtë e dimë të gjithë, por që të na bëjë qesharakë të gjithëve në sy të miqve e partnerëve tanë të mëdhenj, me gënjeshtrat e tij sy për sy, këtë nuk ia kemi borxh, ashtu siç nuk i kemi borxh as gjithë atë mal akuzash e shpifjesh për një projektligj që nuk e kundërshtojmë vetëm ne, as vetëm njerëzit e drejtësisë apo përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare, por edhe qeveria amerikane e ajo britanike, të cilat nuk besoj se ka njeri në këtë botë që t'i akuzojë për simpati e butësi ndaj komunizmit apo për lidhje me diktaturën komuniste”, - tha Rama.
Akuzat
Kreu i Partisë Socialiste tha se projektligji aktual për dosjet po mbrohet me forcë nga kryeministri Berisha jo për të vënë në vend drejtësinë për viktimat e komunizmit, por për të mbrojtur Berishën dhe ministrat e tij nga Drejtësia. “Sali Berisha është kapur pas viktimave të komunizmit për të shpëtuar anijen e qeverisë së tij që po mbytet në kënetën e korrupsionit dhe as nuk po do t'ia dijë për kërcënimin që i vjen procesit zgjedhor për shkak të papërgjegjshmërisë së tij. Madje, ai shkon aq larg sa të mohojë publikisht jo vetëm deklaratën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për antikushtetueshmërinë e projektligjit famëkeq, por edhe telefonatën me një zyrtar të lartë amerikan e mik të shquar të shqiptarëve, i cili i ka shprehur drejtpërdrejt kryeministrit shqiptar shqetësimin serioz të partnerit tonë të madh për këtë hap aspak të dëshiruar në kundërshtim me Kushtetutën e me shtetin ligjor”, - tha Rama.
Dosjet
Rama ripërsëriti qëndrimin e Partisë Socialiste për hapjen e të gjitha dosjeve dhe gatishmërinë për të votuar një ligj të standardeve europiane. Rama u shpreh se ky ligj i rëndësishëm duhet të ketë pëlqimin e partnerëve ndërkombëtarë, të cilëve u kërkoi ndjesë për sjelljen joserioze të kryeministrit Sali Berisha. “Qëndrimi ynë është i qartë: Jemi gati të hapim dosjet - të gjitha dosjet - dhe jemi gati të votojmë një ligj të standardeve europiane, që ka pëlqimin e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë, duke filluar nga qeveria amerikane, së cilës i kërkoj ndjesë në emër të qytetarëve e qytetareve të Shqipërisë për sjelljen joserioze të kryeministrit shqiptar ndaj shqetësimeve të shprehura prej përfaqësuesve të saj të nderuar. Do të doja që këtë ndjesë ta kërkonte sot vetë kryeministri, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë së një populli që ushqen ndjenjat më të ngrohta të miqësisë e të respektit për SHBA-të e për përfaqësuesit e tyre dhe uroj me gjithë zemër që këto lajthitje të turpshme të Sali Berishës të mos përsëriten së paku me miqtë e partnerët e Shqipërisë”.
23 Dhjetor 2008