OSBE-ODIHR reagojnë sërish për dosjet: Kuvendi të shtyjë votimin
Prezenca e OSBE-ODIHR-it në Tiranë ka reaguar sërish dje duke kërkuar shtyrjen e votimit të ligjit për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë. Përmes një deklarate për mediat, kryetari i Prezencës së OSBE-së ambasadori Robert Bosh dhe drejtori i ODHIR-it, ambasadori Janec Lenarçic, nxisin parlamentin që të marrë parasysh shtyrjen e votimit të projektligjit “Mbi pastërtinë e figurave” në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera. Bosh është shprehur në deklaratën e tij se është e domosdoshme që çdo proces lustrimi të plotësojë standardet ndërkombëtare dhe të kryhet me një konsensus sa më të gjerë. Ndërsa ambasadori Lenarçic tha se ligji ka implikime serioze kushtetuese dhe politike dhe se shtyrja e votimit për të lejuar konsultime më të gjera do të ishte e mirëpritur. Ambasadorët theksuan se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe e ODIHR-it janë të gatshme të mbështesin autoritetet shqiptare, nëse do t’u kërkohej, të jepnin asistencën dhe ekspertizën e tyre mbi këtë projektligj. Kjo është deklarata e dytë e OSBE-së për shtyrjen e votimit të këtij projektligji. Ndërkohë, maxhoranca e djathtë duket e vendosur për ta miratuar draftin për hapjen e dosjeve, pavarësisht qëndrimit kundër të ndërkombëtarëve dhe të opozitës shqiptare.
23 Dhjetor 2008