PS ngre në javën e parë të 2010-ës siparin e protestave
Që në javën e parë të vitit 2010, Partia Socialiste do të nisë protestën për zbardhjen e asaj që ajo e vlerëson si “krimi elektoral i zgjedhjeve të 28 qershorit”. Në dallim nga fushatat e tjera, protestat e vitit të ardhshëm do të shtrihen edhe në qytetet më të vogla të Shqipërisë. Mësohet se protestat e opozitës do të përqendrohen në dy shtylla kryesore: hapja e kutive dhe kriza ekonomike. Sipas deklaratave, socialistët, me kërkesën për hapjen e kutive të votimit nuk kërkojnë ndryshimin e rezultatit në tavolinë, por për të bërë transparencën e 28 qershorit. Përshkallëzimi i protestave nga Partia Socialiste, e drejtuar nga kryetari Edi Rama, gjatë vitit 2009, për hapjen e kutive dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, ka hasur në një qëndrim refuzues nga kryeministri Sali Berisha. Si Rama, ashtu dhe Berisha ndodhen tashmë në “skajet e litarit” dhe një afrim i tyre për momentin duket thuajse i pamundur, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për uljen në dialog për të gjetur një rrugëzgjidhje nga qorrsokaku në të cilin është futur jeta politike dhe parlamentare në vend. Protestat opozitare kanë nisur që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, në harkun 6-mujor, duke filluar me qendër Tiranën dhe duke u përshkallëzuar në qytetet më kryesore të Shqipërisë. Bojkotit të gjatë të PS-së, kryeministri Berisha i është përgjigjur me injorim.
Bojkoti
Ndërkaq, situata në kampin socialist duket pak më komplekse, pavarësisht se nga një ngjeshje të lidershipit socialist dhe deputetëve të kësaj force politike rreth Ramës. Kryesocialisti duhet të marrë në vlerësim edhe disa qëndrime të shprehura nga deputeti Marko Bello, i cili ka deklaruar disa ditë më parë se në janar të vitit 2010 do të hyjë në Parlament. Motivi që ai përdor për këtë hap janë reformat integruese të vendit. Por ky motiv më shumë duket si një zgjidhje mekanike. Ndërsa socialisti Arben Malaj, në një intervistë për gazetën “Albania”, e ka cilësuar vendimin e z. Bello individual. Si pasojë e bojkotit të PS-së, maxhoranca nuk mund të votojë një sërë ligjesh, sidomos të reformës në Drejtësi, të cilat kërkojnë 2/3 e votave të Kuvendit. Për këtë arsye, maxhoranca duhet të hyjë në bisedime me PS-në për të gjetur opsionin e duhur mbi këtë çështje. Janë 5 projektligje të rëndësishme të trashëguara nga sesioni i kaluar në pritje të votave të opozitës. Konferenca Gjyqësore, Gjykata Administrative janë draftet e planifikuara të shqyrtohen në janar, por që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar.
Kriza ekonomike
Partia Socialiste do të vazhdojë në rrugën e protestave edhe për një fakt tjetër, siç është kriza ekonomike. Ajo bën fajtore qeverinë se ka thelluar krizën ekonomike, si pasojë e keqqeverisjes. PS-ja u është referuar treguesve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sipas këtyre të dhënave, të ardhurat buxhetore në 11-mujorin e këtij viti, kundrejt vitit të kaluar, janë rritur vetëm prej 2.2 për qind, kurse deficiti buxhetor është rritur 2.94 herë. Ecuria e rritjes së indekseve të shitjeve me pakicë ka qenë e ngadaltë, të dhënat e ekonomisë së jashtme vijojnë të karakterizohen nga ulja e eksporteve, ndërsa ngadalësimi i ekonomisë perceptohet gjithashtu edhe nga konsumatori dhe biznesi, treguesit e besimit të të cilëve vijojnë të jenë të ulëta. Pasojë direkte e kësaj situate janë zhvlerësimi i lekut, rritja e çmimeve, rritja e taksave të biznesit.
Mandati i deputetëve
Flitet se nëse deputetët e PS-së nuk gjejnë një zgjidhje për bojkotin, rrezikohen të ngelen pa mandat. Megjithatë, ende nuk ka një qartësi mbi këtë fakt. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, në një intervistë për gazetën “Albania”, ka propozuar që Komisioni i Rregullores së Parlamentit të bëjë interpretimin e ligjit, pasi sipas Rregullores, një deputeti i hiqet mandati kur mungon 6 muaj rresht. Malaj ka kërkuar që për këtë çështje të shprehet edhe Gjykata Kushtetuese. Gjithsesi, do të jetë viti i ardhshëm të kristalizojë akoma më shumë se cilat do të jenë hapat që do të hedhë opozita dhe maxhoranca me qëllim zhbllokimin e situatës paralizuese në jetën parlamentare të vendit. Ajo që është e qartë deri tani është fakti se sipari i 2010-s do të çelet me protestat e opozitës, të cilat nuk pritet të mbyllen shpejt.
29 Dhjetor 2009