Meta: “Janë të gjitha mundësitë për një dialog konstruktiv”
Zëvendëskryeministri Meta komenton tryezën e Presidentit
Zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është shprehur optimist për arritjen e kompromisit në vend. Në një intervistë dhënë për Dojçe Velen, zëvendëskryeministri Meta u shpreh se kriza që ekziston në Shqipëri ka të bëjë vetëm me mospranimin e humbjes në zgjedhje nga kryetari i Partisë Socialiste. Sipas Metës, maxhoranca gjatë gjithë kësaj periudhe është treguar e gatshme për kompromis, duke i dhënë mundësinë opozitës që të hetojë zgjedhjet duke pasur shumicën në komisionin parlamentar hetimor. Meta u shpreh se në Shqipëri pushtetet janë të ndara dhe se duhet të respektohen vendimet e gjykatave. Zëvendëskryeministri beson në arritjen e kompromisit mes palëve gjatë dialogut që do të zhvillojnë në tryezën e Presidentit Topi.
Zoti Meta, opinioni ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për krizën politike në Shqipëri. Sipas jush, a ka arsye që kjo krizë të zgjasë kaq shumë kur dihet që zanafilla nisi me zgjedhjet e qershorit? A shpresoni që kjo krizë do të kapërcehet nga vetë shqiptarët? Kam parasysh këtu iniciativën e Presidentit?
Mendoj se Shqipëria ka arritur të përmbushë detyrimet kryesore të OSBE-së lidhur me zgjedhjet e fundit, të cilat u vlerësuan si më të mirat. Ato janë njohur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe e vetmja krizë, për fat të keq, që ekziston në Shqipëri, ka të bëjë me mospranimin e humbjes nga kryetari i Partisë Socialiste, ndërkohë që të gjithë përfaqësuesit e kësaj partie në administratën zgjedhore i kanë njohur rezultatet dhe i kanë firmosur ato. Prandaj jam i bindur që kjo është situatë tërësisht artificiale, e cila duhet të kalohet sa më shpejt.
Por çfarë ka bërë qeveria që kjo krizë të ndërpritet? A ka pasur ndonjë hap në drejtim të plotësimit të pretendimeve të opozitës?
Qeveria ka qenë tepër e hapur për t’i krijuar opozitës të gjitha hapësirat edhe në drejtim të hetimit të pretendimeve të saj për shumë aspekte të zgjedhjeve të qershorit. Por kokëfortësia e kryetarit të Partisë Socialiste për të rihapur kutitë e votimit dhe për të bërë një proces rinumërimi në kushtet kur vendimet supreme për problemet e pretendimeve të tilla apo ankimimeve të tilla i ka marrë kolegji zgjedhor, pra Gjykata, sipas Kodit Zgjedhor të bërë me konsensus midis zotit Rama dhe zotit Berisha. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se Kushtetuta e Shqipërisë, që është e standardeve europiane, në themel të saj ka pavarësinë e Gjyqësorit dhe të gjykatave, sepse ka ndarjen e pushteteve.
Pra mendoni se do të ketë një zgjidhje, një kompromis mes pozitës dhe opozitës?
Besoj se po, pasi në të gjitha drejtimet maxhoranca ka qenë shumë e hapur për të plotësuar kërkesat e opozitës, qoftë edhe duke i dhënë maxhorancën e një komisioni hetimor parlamentar, gjë që normalisht nuk i takon opozitës, i takon shumicës, por është vullneti i maxhorancës që të lëshojë shumicën në një rast të tillë. Pra duket qartë që ka një përpjekje për një tension krejtësisht artificial, e cila vjen më shumë si rezultat i faktit që kryetari i Partisë Socialiste nuk është deputet, por ky ka qenë një vendim i tij dhe për këtë kërkon ta mbajë dialogun jashtë Parlamentit. Megjithatë, besoj se janë të gjitha mundësitë që me më shumë vetëpërmbajtje dhe duke u ngritur mbi interesat e ngushta, të rivendoset një dialog konstruktiv, i cili nuk i dobëson institucionet, sepse nuk mund të jetë qëllimi i një dialogu për të dobësuar institucionet, por për t’i forcuar institucionet. Natyrisht, duke i garantuar edhe opozitës gjithë hapësirat për të ushtruar përgjegjësitë.
Marrë nga Dojçe Vele
10 Shkurt 2010