Patozi: “PD-ja do të japë kontribut në përputhje me Rezolutën e KiE-së”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, vlerësoi dje gjatë një deklarate për shtyp nismën e presidentit Topi për zhvillimin e një tryeze dialogu mes PD-së dhe PS-së. Patozi u shpreh se Partia Demokratike do të japë kontributin e saj në këtë tryezë në përputhje me Rezolutën e KiE-së, si dhe në respekt të parimeve të shtetit ligjor. Në këtë kuadër, demokratët vazhdojnë të mbrojnë qëndrimet e tyre për mos hapjen e kutive të votimit, që përbën kushtin dhe kërkesën kryesore të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, Patozi ka bërë të ditur se maxhoranca ka pasur, ka dhe do të vazhdojë të ketë gjithmonë dialog me PS-në, duke u përpjekur të sfumojë rolin e Presidentit në këtë situatë.
Qëndrimi
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dëshiroj të shpreh
vlerësimin pozitiv për thirrjen nga Presidenti i Republikës e tryezës së
dialogut politik mes maxhorancës dhe opozitës. Si një ndër protagonistet e kësaj tryeze, Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Gjithmonë në funksion të këtij qëllimi vullnetmirë, ne i qëndrojmë plotësisht respektimit dhe mbështetjes së plotë të dokumenteve të mësipërme. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo maxhorancë ka pasur, ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me çdo faktor tjetër politik të vendit. Dhe në dritën e qartë të këtij përcaktimi ne e shikojmë
edhe tryezën e ftuar nga Presidenti i Republikës”, - është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së.
Rezoluta
Ndërsa demokratët bazohen në Rezolutën e KiE-së, në të shkruhet qartë se maxhoranca qeverisëse duhet të ngrejë sa më parë një komision të posaçëm parlamentar për hetimin e procesit zgjedhor, ndërsa opozita t’i japë fund bojkotit dhe të futet në Parlament. Asambleja Parlamentare shpreh keqardhjen për krizën politike që ka dëmtuar rëndë politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me bojkotin e Parlamentit nga Partia Socialiste në opozitë dhe kontestimin e legjitimitetit politik të qeverisë së udhëhequr nga Partia Demokratike. “Në një parlament ku shumica qeverisëse nuk gëzon tre të pestat e nevojshme që të kalojë reformat kryesore kushtetuese, ky bojkotim e bën më shumë të pamundur miratimin e reformave të nevojshme. Kjo situatë dëmton popullin shqiptar dhe ambiciet e tij për integrimin europian”, - shkruhet në Rezolutë. “Asambleja shpreh gatishmërinë e saj për të ofrojnë një forum për arritjen e një zgjidhjeje në Shqipëri dhe të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me organizata të tjera ndërkombëtare, në kërkim për një zgjidhje politike të krizës. Ajo mbështet të gjitha përpjekjet, duke përfshirë edhe ato të ndërmarra nga Presidenti shqiptar Topi, për të mbledhur partitë politike shqiptare. Në këtë drejtim, ajo konsideron se një tryezë e rrumbullakët, ku do të mblidhen të gjitha partitë politike të Shqipërisë, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike dhe vendosjen e bazave për dialogun parlamentar. Në veçanti, Asambleja i kërkon qeverisë për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar hetimor mbi zgjedhjet e qershorit 2009, që do të respektojë vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për komisionet e hetimit parlamentar dhe në të njëjtën kohë ajo i bën thirrje opozitës për t’u kthyer në Parlament dhe për të marrë pjesë plotësisht në punën e saj”, - shkruhet në rezolutën e KiE-s.
Berisha: “Privatizimet do të rrisin fondin e kompensimit të pronarëve”
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua dje një takim lidhur me procesin e privatizimit të aseteve publike duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet, në të cilin merrnin pjesë ministra dhe specialistë të fushës. Duke e cilësuar vitin e kaluar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, kryeministri Berisha kërkoi që të kompletohet procesi i privatizimin e të gjitha aseteve publike, duke synuar rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri. “Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar, përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme”, - u shpreh kryeministri. Më tej, Berisha u shpreh se vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe për qeverinë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë. “Privatizimi është një provë jashtëzakonisht e rëndësishme për administratat që ju drejtoni. Ne jemi shumicë dhe kemi pushtetin për të marrë çdo vendim në interes të këtij procesi, për të thjeshtuar hallkat dhe procedurë në interesin më të mirë. Natyrisht, vlerat e krijuara nga ky proces do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë”, - është shprehur Berisha.
10 Shkurt 2010