E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, “traun” Tiranës, Teuta rrëzon Vllazninë



Tirana duhet të falënderojë Daniel Xhafën e Vangjel Milen, të parin për dy golat vendimtarë në barazimin 2-2 me Partizanin, ndërsa të dytin për golin e shënuar në fitoren 1-0 të Teutës me Vllazninë, që prodhuan edhe kryesimin e vetëm të 23-herë kampionëve pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 28-të të Kategorisë Superiore.
Tashmë, Tirana kryeson me 55 pikë, një më shumë se Vllaznia e vendit të dytë (54), ndërkohë që Dinamo pas barazimit me Besën në Kavajë u ngjit në kuotën e 48 pikëve, por që tashmë ndjen fort presionin e Shkumbinit, që ka katër pikë më pak (44) e ndodhet njëherësh në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Superderbi i 133-të i dy skuadrave më popullore të kryeqytetit përsëriti shifrat e fazës së dytë, 2-2, madje me të njëjtën “skemë” të shënimit të golave, kur shënoi e para Tirana, barazoi e kaloi në avantazh Partizani, e pak minuta përpara përfundimit të takimit bardheblutë firmosin barazimin.
Në një dekor të denjë për ndeshje ndërkombëtare, e me dy tifozeri entuziaste, secila në sektorin e paracaktuar në “Qemal Stafa”, e sigurisht në praninë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, takimi i tretë sezonal midis Partizanit e Tiranës dhuroi emocione të jashtëzakonshme, pavarësisht se luanin dy skuadra me pozicione, synime e realitete krejtësisht të kundërta: Tirana, e para, e Partizani në vendin e 8-të; bardheblutë me paga milionere e të kuqtë, ende pa u paguar për një kohë të gjatë, njëra për titullin kampion e tjetra për të mbijetuar midis 12 skuadrave më të mira të Kategorisë Superiore.
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, dëshmoi edhe njëherë se është nja nga strategët më të mirë të kampionatit shqiptar, duke ndërtuar një strategji efikase përballë një Tirane, që zotëron disa nga emrat më të spikatur të Superligës. Të kuqtë dominuan në pjesën më të madhe 96 minutat e luajtura në total, përfshirë edhe shtesat, madje në minutën e 95-të, nëse zëvendësuesi Rigels Çekaj do të bënte më të lehtën do të kishte fiksuar shifrat 3-2 për Partizanin.
Kronologjia e rasteve pikante të supersfidës nisi me Marius Ngjela në minutën e 14-të, por sulmuesi korçar i Partizanit nuk e kalibroi goditjen në portën thuajse të lënë zbrazët nga portieri veteran i Tiranës. Ngacmimet në portat respektive në fraksionin e parë, nuk sollën asnjë ndryshim të rezultatit, pavarësisht se Memelli e Ngjela, dy golashënuesit më të mirë respektivisht të Tiranës e Partizanit, patë disa mundësi shënimi.
Pjesa e dytë ishte e gjitha për të shijuar, kur të skuadrat shënuan secila nga dy gola. Daniel Xhafaj realizoi për Tiranën në minutën e 56-të kur shndërroi në gol një pasim të artë të Migen Memellit, ndërkohë që Dritan Babamusta i Partizanit realizoi me kokë në të 63’ pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Artan Karapici. Goli i katërt sezonal i Babamustës edhe i dyti rresht pas atij kundër Dinamos.
Barazimi i shpejtë i të kuqve, solli entuziazëm të formacioni i Shpëtim Duros, që më një aksion model për nga ndërtimi e finalizimi, prodhoi edhe golin e bukur të Marius Ngjelës në minutën e 67’, pas një pasi të gjatë të Besmir Begajt (i huazuar nga Tirana). 2-1 për Partizanin, goli i shtatë sezonal i Marius Ngjelës.
Partizani vazhdoi dominimin mbi bardheblutë (Ngjela humbi një rast të pastër, Bakali gjuajti nga distanca), ndërkohë që inkursioni i shkëlqyer i mesfushori të majtë të Tiranës e Kombëtares shqiptare, Ansi Agollit, solli edhe golin e barazimit në minutën e 87-të, kur harkimit perfekt të Agollit iu përgjigj me elegancë Daniel Xhafaj, me një goditje të kalibruar me kokë. Me dy golat kundër Partizanit, Daniel Xhafaj u ngjit në kuotën e 9 golave me bardheblutë.
Fundi i takimit pati dhe nota nervoze midis mbrojtësit të Partizanit, Luan Pinari e kapitenit të Tiranës, Devi Muka, për një protestë të këtij të fundit pas dëmtimit e vonesës së një lojtari të Partizanit. Momenti i fundit i takoi Partizanit, por Çekaj nuk arriti ta shfrytëzonte mundësinë e artë.

SËRISH 2-2

Në fazën e dytë Partizani barazoi 2-2 me Tiranën, madje kur të kuqtë ishin në pozita më të këqija në renditje, vendi i fundit. Pas takimit ish-trajneri i Tiranës, Slishkoviç dha dorëheqjen.

41 BARAZIME

Për të dy skuadrat ky ishte barazimi i 41-të midis tyre në 133 takime historike, ndërkohë që Partizani vazhdon të dominojë me 53 fitore, kundrejt 39 fitoreve që ka Tirana (golat: 196-155).

KATEGORIA SUPERIORE
Java 28

E shtunë, 18 prill 2009, ora 16:30

Partizani-Tirana 2-2
Shënues: Babamusta 63’, Ngjela 67’ / Xhafa 56’, 87’

Teuta-Vllaznia 1-0
Shënues: Mile 61’

Besa-Dinamo 1-1
Shënues: Leci 33’/Ceko 75’

Shkumbini-Lushnja 1-0
Shënues: Dervishi 10’

Elbasani-Bylis 2-1
Shënues: Ahmataj 3’, 61’/ Arapi 40’

Flamurtari-Apolonia 0-0

RENDITJA
Tirana 55
Vllaznia 54
Dinamo 48
Shkumbini 44
Teuta 41
Besa 39
Flamurtari 31
Partizani 30
Elbasani 30
Lushnja 29
Apolonia 26
Bylis 25

Teuta, “zonja e zezë” për Vllazninë

Teuta është shndërruar në një “zonjë e zezë” për Vllazninë (1-0), pasi për herë të dytë gjatë këtij sezoni formacioni durrsak triumfoi kundër shkodranëve, kësaj radhe duke i zbritur nga froni i përbashkët me Tiranës.

Kuqeblutë krijuan një volum më të madh loje në “Niko Dovana”, por sërish “strategjia Sulejman Starova” dominoi mbi atë të malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç, ashtu sikundër kishte bërë ish-trajneri i Partizanit ndaj të dorëhequrit Agim Canaj në fitoren 4-0 të Teutës në fazën e dytë.

Golin e vetëm të takimit e shënoi kapiteni beratas i Teutës, Vangjel Mile me një kryevepër në minutën e 61-të takimit, që i dhuroi edhe tri pikë të tjera të arta durrsakëve në luftën për një vend në Europë.

Teuta është e vetmja skuadër që ka mundur të fitojë me të katër kryesuesit e kampionatit, Tiranën, Vllazninë, Dinamon e Shkumbinin.

Shkodranët bënë një hap të gabuar në Durrës, por falë edhe ndihmës së marrë nga Partizani, në barazimin 2-2 me Tiranën (kryeson e vetme), nuk krijuan një diferencë të madhe me 23-herë kampionët, me të cilët do të përballen me bardheblutë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, përpara se të sfidojnë njëra-tjetrën në javën e fundit të kampionatit.

Goli i Miles ishte i 125-i historik në portën e Vllaznisë gjatë 142 ndeshjeve të zhvilluara midis dy klubeve, ndërkohë që numri i fitoreve të Teutës u ngjit në kuotën 39-të, kundrejt 68 fitoreve të Vllaznisë (35 barazime).

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›