E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Jo koalicioneve të përbëra”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Unë për Reformën Zgjedhore jam i gatshëm të ulem me cilindo. Nuk kam asnjë lloj kufizimi dhe asnjë lloj paragjykimi, sepse Reforma Zgjedhore është detyrim që klasa politike shqiptare e ka ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë”

Lëvizja Socialiste për Integrim është kundër koalicioneve të përbëra, ide kjo e hedhur dy ditë më parë nga Partia Socialiste. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, pohoi se koalicione të tilla janë vetëm bishta koalicionesh, prandaj nuk janë të pranueshme. Ai theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë marrëveshje PS-LSI, edhe pse është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të këtyre dy partive. Numri një i LSI-së thekson se takimi mes tyre ka qenë vetëm për Reformën Zgjedhore, çështje për të cilën ai është i gatshëm të takohet dhe me Kryetarin e PS-së, Edi Rama. Meta tha se kjo është tentativa e fundit e partisë së tij si një detyrim që ka ndaj elektoratit të majtë. Por ai u shpreh shumë mosbesues ndaj arritjes së konsensusit mes këtyre dy partive, ndërsa pohoi se dallimet mes LSI-së dhe lidershipit të selisë rozë janë thelbësore, sepse lidhen me mënyrën se si organizohet dhe ndërtohet një shtet demokratik dhe i së drejtës. Formula e socialistëve për koalicionin e përbërë garanton vota individuale për çdo parti, por llogaritje të përbashkët në përfundim. Kjo dhe komisionerët apartiakë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin 2 propozimet e selisë rozë, në takimin e një dite më parë, por dhe për këtë të fundit, Meta shpreh rezervat e tij.
Kundërshtimi
Meta saktësoi dje se ftesa e kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, për kryetaren e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, synon një bashkëpunim vetëm për Reformën Zgjedhore dhe jo për çështje të tjera. Sipas tij, kjo është ndoshta përpjekja e fundit që bën LSI përpara opinionit publik, përpara elektoratit opozitar, për të ndihmuar lidershipin e PS-së, që të mos thellohet në fajet e tij të deritanishme që cenojnë votën e qytetarëve shqiptarë dhe që mund t i krijojnë avantazhe të padrejta dhe në kurriz të ndershmërisë së zgjedhjeve, Sali Berishës. I pyetur për mundësinë e takimit mes tij dhe kryesocialistit Rama, kreu i LSI-së pohon se është i gatshëm të takohet me çdokënd për Reformën Zgjedhore. “Unë për Reformën Zgjedhore jam i gatshëm të ulem me cilindo. Nuk kam asnjë lloj kufizimi dhe asnjë lloj paragjykimi, sepse Reforma Zgjedhore është detyrim që klasa politike shqiptare e ka ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë”, - tha ai. Por pas takimit të parë PS-LSI, Meta kundërshton hapur një nga propozimet e socialistëve për koalicione të përbëra. Sipas tij, koalicione të tilla nuk janë gjë tjetër veçse bishta koalicionesh, sepse nuk ndërtohen mbi vlera dhe principe të përbashkëta, ashtu siç ndodh në çdo vend. Ai konfirmoi se në zgjedhjet e ardhshme opozita do të ketë dy koalicione: njëri i drejtuar nga PS dhe tjetri nga LSI, “E majta për Integrim. Meta pohoi se dallimet mes LSI-së dhe lidershipit socialist vazhdojnë të jenë thelbësore. “Dallimet midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe lidershipit të Partisë Socialiste, theksoj jo të Partisë Socialiste, por lidershipit të saj, janë shumë më të mëdha pas 21 Prillit. Sepse, sot ne kemi dallime shumë thelbësore, për të mos thënë diametralisht të kundërta, lidhur me principet mbi të cilat organizohet dhe ndërtohet një shtet demokratik dhe i së drejtës, por gjithashtu kemi dallime shumë thelbësore edhe për sistemin e qeverisjes në vendin tonë”, - tha Meta. Ai shtoi se PS në këtë drejtim është më pranë PD-së, sepse ka të njëjtin koncept për ndërtimin e një shteti autoritar, piramidal, të një shteti, i cili nuk funksionon mbi principet e mekanizmit të një aleance dhe të ekuilibrit midis pushteteve, që është goditur nga marrëveshja konsensuale e natës së 21 Prillit. Megjithatë, sipas tij, një ndryshim i sjellës së lidershipit socialist do të ishte i mirëpritur nga LSI. Ai u shpreh më tej se do të jetë shumë i vëshirë administrimi jopolitik i zgjedhjeve, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, të cilat kanë forcuar rolin e Kryeministrit.
Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›