E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: “Uroj të arrijmë konsensus të gjithë si opozitë”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste, në vijim të takimeve me forcat politike të majta për gjetjen e një emëruesi të përbashkët nga opozita për Kodin e ri Zgjedhor, dhe një ditë pas takimit me përfaqësues të LSI-së, është takuar me krerët më të lartë të Partisë Socialdemokrate. Kryetari i PSD-së, Gjinushi, deklaroi pas takimit se socialdemokratët janë të gatshëm për bashkëpunim me PS-në, në reformimin e ligjit zgjedhor, proces që duhet të përfundojë brenda muajit shtator. Ndërkohë ai u shpreh "për një korrektim të sistemit zgjedhor, i cili duhet të parashikohet në Kushtetutë". Gjinushi theksoi më tej se “takimi ynë ka të bëjë me fillimin e sesionit të ri parlamentar. Dy partitë tona kanë bashkëpunuar vazhdimisht dhe problemi më imediat është Reforma Zgjedhore. Siç dihet, sesioni i kaluar u mbyll pa përfunduar reformën, mbi të gjitha në një shqyrtim tepër serioz për sa i përket infastrukturës zgjedhore, nga hartimi dhe pajisja me kartat e identitetit, për të identifikuar votuesit”. Por gjithashtu, sipas tij, një tjetër problem është dhe rregullimi i Kodit Zgjedhor, përpilimi i këtij kodi dhe koordinimi për një sistem të hapur. “Me PS-në kemi qëndrime të përbashkëta në këtë drejtim dhe urojmë që edhe koalicioni parlamentar opozitar të arrijë të gjejë konsensusin për të aplikuar përfundimisht një sistem të përshtatshëm. Pra proporcional rajonal, por proporcional në kuptim më demokratik dhe me një përkthim më të drejtë në votë. Por nuk është e vetmja zgjidhje, ka dhe mënyra të tjera korrektive, në disa jepet hyrje në koalicione të përbashkëta, pra koalicione që mbështeten mbi votën e çdo partie, pra në votën më vete dhe ka dhe lista të përbashkëta dhe të bashkuara. Këto janë format që e bëjnë sistemin më demokratik dhe i japin vërtet natyrën profesionale, dhe lejon një bashkëpunim të ndershëm”, - tha ai. Gjinushi sqaron se sistemi “spanjoll” thuhet gabimisht, pasi janë marrë nga ai disa elemente, dhe më pas dhe shumë variante aq sa është thënë në Kushtetutë nuk mund të thuash se është i mirë dhe i keq, varet se si do të forcohet në kohë. Sipas tij, tani janë në prag të përkthimit dhe konkretizimit zgjedhor, kjo është një ndër idetë që ka PSD që sistemi të bëhet i pranueshëm. Gjinushi ka komentuar dhe çështjen e konfederatës së majtë, ide e hedhur tek të majtët nga vetë ai, duke shpjeguar se “jemi në prag të zgjedhjeve dhe këto ide janë hedhur pikërisht për të mundësuar një taktikë sa më të favorshme për zgjedhjet, nëse nuk ka një konkretizim në vijim, mbetet që hapi i parë i bashkëpunimit të hidhet në zgjedhje. Uroj që pikërisht për këtë në bazë dhe të asaj çka flitet, përderisa ka tashmë dhe të njëjtat vlerësime nga të tjerët dhe në të njëjtin interes, fitore të së majtës”, - përfundoi kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.
P.Sh
Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›