E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Jo” shtyrje të zgjedhjeve

20-04-2013 / Gazeta 55

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta,  zhvilloi sot një takim më strukturat e LSI-së së Qarkut Lezhë. Ky takim në të cilin Lideri i LSI-së ishte i shoqëruar nga kryetari i LSI-së së Lezhës, njëherazi kryetari i baskisë, Viktor Tushaj, ishte i pari pas vendimit të LSI-së për koalicion me Partinë Socialiste dhe shënoi hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit në këtë qark. Në fjalën e tij z. Meta i falënderoi të gjithë të pranishmit për solidaritetin dhe mbështetjen lidhur me vendimin e LSI-së për koalicion me PS-në dhe opozitën e bashkuar.
Ai tha se ky është një koalicion që i shërben të gjithë vendit, të ardhmes së tij evropiane. “Nuk është një koalicion me PS-në kundër PD-së, është një koalicion për ndryshimin e Shqipërisë. Është një koalicion edhe për t’i hapur rrugën ndryshimeve në PD. Sepse për fat të keq, pavarësisht nga përpjekjet tona aktive konstruktive, gjatë këtyre katër viteve bashkëpunimi dhe bashkëqeverisjeje me PD-në, rezultoi se ishte kthyer në një problem shqetësues përqendrimi i pushteteve dhe i drejtimit të shumë institucioneve nga kjo forcë politike. Këtë gjë e vëmë re edhe ditët e fundit ku shohim një degradim të gjuhës politike të komunikimit në publik, një mungesë qytetarie, edhe në parlament apo edhe në mesazhe të tjera publike nga përfaqësuesit më të lartë të kësaj force politike. Nuk është kjo kultura e cila ndihmon politikën shqiptare që të përmbushë ato përgjegjësi që duhen për të arritur ato standarde evropiane”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Sipas tij, LSI synon që më 24 qershor Shqipëria të mos jetë më e ndarë siç është sot. “Ndaj e kam thënë edhe më përpara që ne nuk synojmë të bashkojmë nëpërmjet këtij koalicioni të gjithë socialistët, të gjithë të majtët, të gjithë opozitarët në Shqipëri. Ne synojmë diçka më të madhe dhe do ta arrijmë këtë. Më 24 qershor Shqipëria nuk do të jetë kaq e ndarë sa është sot. Ne duam që më 24 qershor shqiptarët të mos ndihen të përçarë dhe të mos ndihen armiqësorë ndaj njëri-tjetrit siç për fat të keq ndihen sot. Dhe të jeni të sigurt se më 24 qershor nuk do të ketë triumfalizëm pavarësisht nga fitorja plebishitare e opozitës së bashkuar, por do të ketë marrje përgjegjësish dhe do të ketë bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë me Presidentin e Republikës dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të tjera, me qëllim që të përmirësojmë standardet e të gjitha institucioneve në Shqipëri. Edhe demokratët do të ndihen të përfaqësuar në të gjithë jetën institucionale pas 23 qershorit, që nga presidenti edhe të gjithë institucionet e tjera për të cilat ata kanë dhënë votën dhe mbështetjen e tyre gjatë këtyre katër viteve apo tetë viteve.  Dhe bashkëpunimi që kërkon Evropa do të jetë një bashkëpunim objektiv, pra jo një bashkëpunim që varet nga humoret dhe nga kultura e një pale, por një bashkëpunim i imponuar nga rrethana objektive dhe unë jam i bindur që do të çlirohen energji shumë pozitive”, vijoi ai. 

Lidhur me zhvillimet më të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shprehu keqardhjen më të thellë për faktin se lidershipi i PD-së nuk po arrin të ngrihet në përgjegjësinë që kërkon koha dhe momenti por edhe nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga e kaluara.

Z. Meta deklaroi gjithashtu se LSI do të angazhohet edhe më shumë në mënyrë që suksesi i 23 qershorit të jetë i jashtëzakonshëm. “Do të bëjmë më të mirën në mënyrë që vota e çdo qytetari të numërohet me drejtësi dhe me ndershmëri. Do të bëjmë gjithçka për të përmirësuar standardin e zgjedhjeve përmes gjithë instrumenteve dhe kapaciteteve që ne do të mobilizojmë si opozitë e bashkuar. Turpi për prishjen e standardeve do tu ngelet atyre që e bënë këtë gjë në sytë e gjithë shqiptarëve dhe në sytë e gjithë ndërkombëtarëve, por absolutisht që kjo nuk do të thotë se ne pas 23 qershorit do të sillemi në të njëjtën mënyrë primitive, do të ndërpresim mandatet e institucioneve të zgjedhura.

Ne premtojmë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që shikon nga e ardhmja, një Shqipëri që shikon nga ndërtimi i shteti ligjor, nga balancimi i pushteteve, nga një demokraci i shëndetshme dhe funksionale, dhe një Shqipëri e cila ka akumuluar mjaft probleme ekonomike, të cilat do të adresohen me një përkushtim dhe me një energji të re në mënyrë që vendi të ecë më shpejt përpara, në mënyrë që edhe Lezha të ecë më shpejt përpara”, tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›