Meta: Jo tym të panevojshëm, por kontribut për vizat
ELBASAN- Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe njëherësh ministër i Jashtëm i ka bërë apel opozitës nga Elbasani të japë kontributin e saj në procesin e liberalizimit të vizave dhe plotësimin e pyetësorit të BE-së.
Deklaratat janë bërë gjatë një takimi me strukturat dhe simpatizantë të kësaj partie në Elbasan. I ndjekur nga ministri Petrit Vasili si dhe dy kryetarët lokal, Pjerin Xhuvani për qytetin dhe Bujar Kllogjeri për qarkun, Meta u ndal në zhvillimet integruese duke komentuar edhe lajmin për liberalizimin e vizave për vendet e rajonit.
Ai ka deklaruar se ndihet shumë i gëzuar për fqinjët, pavarësisht se do të ishte i lumtur që edhe Shqipëria ta kishte fituar njëkohësisht këtë të drejtë. Por askush nuk mund të mbetet i habitur, sipas Metës, sepse Shqipëria e ka ditur përpara që nuk do ta fitonte në të njëjtën kohë, pasi ky vendim ishte marrë prej kohësh. "Kërkesat kryesore për lëvizjen e lirë këto vende i kishin plotësuar me kohë qysh nga pasaportat biometrike, kartat e identitetit dhe elementë të tjerë. Kemi dëgjuar mediat që thotë se Shqipëria mbeti e fundit. Por kur ka qenë Shqipëria e para? Në kohën e Zogut, Haxhi Qamilit apo Enver Hoxhës. Mendoj që retorika të tilla boshe nuk sjellin asgjë konstruktive. Ne jemi këtu ku jemi. Ata që përpiqen të shpërndajnë tym të panevojshëm duhet të japin kontributin e tyre edhe për liberalizimin e vizave edhe për pyetësorin për Komisionin Evropian pasi është një pyetësor për Shqipërinë e jo vetëm për qeverinë edhe për të gjithë proceset integruese"- tha ai.