Meta: Kanadaja të kontribuojë për Kosovën shtet
Ministri i Jashtëm Ilir Meta shprehu dje gjithashtu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen që Kanadaja i ofroi Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, z. Meta u kërkoi senatorëve kanadezë të përdorin influencën e tyre me ato vende që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës. Gjithashtu, ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, i kërkoi kryesenatorit kanadez, z. Kinsella, të ushtrojë influencën e tij për përshpejtimin e firmosjes së dy marrëveshjeve kuadër mes Shqipërisë dhe Kanadasë, marrëveshje që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve dhe atë të eliminimit reciprok të taksimit të dyfishtë. Kryesenatori Kinsella vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare në Kanada dhe rolin e saj si urë lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Shqipërisë do të vijnë vetëm duke u forcuar. Gjithashtu, kryesenatori Kinsella vlerësoi përmirësimin e situatës në Kosovë dhe rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajon.