E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi, Xhaferri pret delegacionin kanadez



Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferri, priti dje delegacionin e Senatit kanadez, te kryesuar nga kryetari i tij, z. Noel Kinsella. Ministri Xhaferri bëri një ekspoze të zhvillimeve në fushën e kulturës, arteve, sporteve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në zhvillimet në fushën e turizmit. Ai vuri në dukje prioritetin e qeverisë në këtë fushë dhe investimet e kryera në drejtim të infrastrukturës rrugore në shërbim të zhvillimit të turizmit. Ai i informoi miqtë kanadezë për numrin në rritje të vizitorëve dhe turistëve të huaj dhe atyre nga trevat shqipfolëse gjatë vitit 2009, rritje e cila kap shifrën prej 42% për periudhën janar - tetor 2009. Kryetari i Senatit kanadez përgëzoi qeverinë për arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Ai ofroi mbështetjen e Senatit kanadez për zgjerimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e turizmit, kulturës, sporteve dhe të politikave në drejtim të formimit të të rinjve. Ai e ftoi ministrin Xhaferri të vizitonte Kanadanë me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Vankuver, në vitin 2010. Po kështu, ai informoi për programet e qeverisë kanadeze për të rinjtë, për të cilat Drejtoria e Rinisë në MTKRS mund të ishte e interesuar për bashkëpunim. Në këtë takim merrnin pjesë edhe zv.ministrja Suzana Turku dhe drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, z. Xhevdet Ferri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›