E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kandidimi në BE, Topi të mbledhë tryezën e partive

Aplikimi i Shqipërisë si vend kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian kërkon një tryezë të gjerë politike. Ky ishte propozimi i djeshëm i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. "Unë mendoj se për të paraqitur aplikimin për statusin e një vendi kandidat për Bashkimin Evropian, në radhë të parë duhet një konsensus shumë i gjerë politik brenda vendit", vlerësoi Meta. Në këtë linjë, ish-kryeministri mendon se është me vlerë një tryezë e thirrur nga Presidenti i Republikës, me përfaqësuesit kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës, për të diskutuar këtë fazë të re, ku hyjnë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në dhe procedurat që duhet të ndiqen më tej. Pra, insistoi Meta, nuk duhet kthyer në një lojë politike, por duhet zgjeruar maksimalisht konsensusi politik për procedurat që do të ndiqen në të ardhmen. "Mendoj se, një konsensus tepër i gjerë do të ishte një faktor i rëndësishëm për t‘u mirëpritur një aplikim i tillë nga Bashkimi Evropian", u shpreh Meta. Sakaq, ai gjeti rastin të përshëndesë ratifikimin nga Parlamenti i Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ratifikimi i Greqisë, vendi i fundit anëtar i BE-së, që ratifikon këtë marrëveshje, shënon gjithashtu hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje. "Tashmë Shqipëria hyn në një fazë cilësisht të re, në marrëdhënien e saj me Bashkimin Evropian, fazë e cila hap mundësinë e aplikimit për statusin e vendit kandidat", nënvizoi Meta. Kreu i LSI-së vlerëson se aplikimi për statusin e vendit kandidat, serioziteti dhe koha në të cilën do të paraqitet kjo kërkesë, do të përcaktojnë ecurinë dhe shpejtësinë e ardhshme të integrimit të vendit në BE, dhe ky moment tepër i rëndësishëm kërkon seriozitet dhe një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme nga institucionet e vendit, nga Parlamenti, por mbi të gjitha nga mazhoranca aktuale. "Kjo e fundit duhet të kuptojë se çdo shfrytëzim politik i këtij momenti nuk bën gjë tjetër veçse vë në pikëpyetje suksesin e këtij aplikimi", insistoi Meta. Pavarësisht nga kontestimet themelore që LSI i ka bërë keq-qeverisjes së Kryeministrit Berisha, në drejtim të dëmeve institucionale, që sjell me amendimet kushtetuese dhe ligje të tjera në drejtim të performancës së dobët në menaxhimin ekonomik të vendit, Meta garantoi se do të jetë kontribuues konstruktiv i të gjitha iniciativave që e çojnë Shqipërinë në një fazë të re, atë të vendit kandidat. Meta kujtoi se Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin e qartë e pa ekuivok se Shqipëria duhet të hedhë një sërë hapash të rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm drejt saj, veçanërisht në drejtim të arritjes së standardeve në kriteret politike. "Kushti i parë përcaktues janë zgjedhjet e lira e të ndershme të qershorit 2009", vlerësoi Meta. Sipas tij, çdo dështim në organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme do të ngarkojë me përgjegjësi direkte Sali Berishën dhe qeverinë e tij, jo vetëm për cenimin e vullnetit të shqiptarëve, por edhe për komprometimin e realizimit të aspiratës së tyre për integrim në BE. Dy ditë më parë, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, paralajmëroi se qeveria do të depozitojë para zgjedhjeve të qershorit aplikimin për vend kandidat në Bashkimin Evropian. Dokumenti fillimisht është thjesht një aplikim dhe nëse do të merret në shqyrtim, do duhet të pranohet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky hap është lënë të ndërmerret gjatë presidencës çeke të BE-së, që zyrtarisht filloi në këtë muaj. Më parë presidenca gjashtëmujore mbahej nga francezët, që pasuan sllovenët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›