10 milionë USD, projekti "Malet drejt tregut"
Dje në Ministrinë e Financave u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së huasë prej 9.2 milionë dollarësh me Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, IFAD, për financimin e programit "Malet drejt tregut". Në emër të palës shqiptare, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili tha se objektivi i këtij programi është zbutja e varfërisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonave rurale malore. Programi ka për qëllim përmirësimin e kushteve, zgjerimin dhe rritjen e aksesit drejt tregut të të gjitha zonave të pafavorizuara malore. "Programi është duke u zhvilluar prej vitesh dhe qeveria për të luftuar në mënyrë të qëndrueshme varfërinë për zonat malore dhe të izoluara, si dhe për të krijuar mundësinë e një zhvillimit të qëndrueshëm në këto terrene, po vepron në dy drejtime: përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e kreditimit", tha Bode. Në emër të IFAD-it, marrëveshja u nënshkrua nga Henning V. Pedersen, i cili tha se institucioni që ai përfaqëson ka bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë shqiptare dhe ka gjetur kapacitete shumë të mira për përgatitjet dhe zbatimet e projekteve. Programi do të zbatohet në katër qarqe malore veriore Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë, të cilët kanë nivelin më të lartë të varfërisë në vend.
Kostoja e parashikuar e programit është 17.946 milionë USD, e cila do të jetë një bashkëfinancim i IFAD, me një kredi prej rreth 9.2 milionë USD dhe një grant prej rreth 0.4 milionë USD, qeverisë shqiptare me një financim prej 2.5 milionë USD dhe përfituesve me një financim prej 5.9 milionë USD.