E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Vlorës përjashtojnë shokët

Studentët e universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës kërkojnë veprim të strukturave shtetërore për të ndryshuar kushtet në të cilat jetojnë të rinjtë shqiptarë sot. Pasi kanë marrë vendimin për të përjashtuar nga universiteti dy shokët e tyre, Lediana Zeka dhe Klaudio Kamberi, të cilët javën e shkuar u bënë protagonistë të një krimi të rëndë në ambientet e universitetit, studentët e "Ismail Qemalit" bënë thirrje për ndryshim të realitetit aktual, që sipas tyre po çon drejt degradimit studentët dhe krejt rininë e Vlorës.

Përjashtimi

Krerët e Këshillit Studentor të universitetit "Ismail Qemali" zyrtarizuan dje vendimin për përjashtimin nga universiteti të studentes Lediana Zeka dhe studentit Klaudio Kamberi. Lediana Zeka, 21 vjeçe, studente në vitin e dytë për Shkenca Komunikimi dhe Informatikë, qëlloi e plagosi rëndë me thikë bashkëmoshatarin e saj, Klaudio Kamberi, mesditën e 12 janarit të këtij viti. Dy të rinjtë kishin pasur me njëri-tjetrin një lidhje dashurie, e cila përfundoi kur Klaudio nisi të përdorte drogë. Prej gati një muaji dy studentët grindeshin shpesh në ambientet e universitetit, deri sa të hënën Lediana u dha fund sherreve duke i prerë fytin me thikë ish të dashurit. Rektorati i Universitetit të Vlorës dhe Këshilli i Studentëve i gjykuan njësoj fajtorë për shkelje të rregullores së universitetit të dy studentët, duke marrë vendimin për përjashtimin e të dyve. Lediana Zeka ndodhet prej dy ditësh në arrest shtëpie, ndërsa Klaudio Kamberi po kurohet në shtëpi.

Thirrja për ndryshim

Ngjarja e ndodhur në fillim të javës në ambientet e universitetit ka nxjerrë në pah probleme të mëdha që shqetësojnë sot studentët në Vlorë dhe në gjithë vendin. Me anë të një deklarate për mediat, Këshilli Studentor i Vlorës u bëri thirrje autoriteteve të marrin masa për përmirësimin e jetës sociale të studentëve dhe të të rinjve në përgjithësi, për t‘i larguar ata nga rruga e drogës, dhunës dhe shthurjes. "Vitet e fundit, ndikuar edhe nga kushtet social-ekonomike, po shohim një rritje drastike të rasteve të përdorimit të drogës, vetëvrasjeve, si dhe fenomenit të dhunës në shoqërinë studentore. Pa dashur të japim leksione apo të bëjmë moral, konstatojmë se rinia dhe studentët janë në regres të plotë. Interesat, kërkesat dhe nevojat e saj rriten dita ditës, ndërkohë që nga ana tjetër shohim se s‘ka asnjë angazhim apo interesim nga strukturat përkatëse. Kushtet e vështira ekonomike familjare, përdorimi i drogave të ndryshme, mungesa e aktiviteteve social-kulturore e sportive, pse jo edhe kërkimore studimore, kanë rënduar së tepërmi gjendjen e studentëve, si dhe botëkuptimin e tyre për një jetë normale, thuhet në deklaratën e studentëve të Vlorës. Ata kanë kërkuar dje që në universitet të vendoset një psikolog, ndërkohë që kanë bërë apel për këdo që të kontribuojë sadopak në ndryshimin e realitetit. "Pushteti qendror dhe lokal, si dhe rektorati, kanë detyrimin kryesor për të bërë këtë ndryshim. Nga ana tjetër, ne si këshill studentor kemi të gjithë vullnetin e duhur për t‘u bërë promotorë të këtij ndryshimi. Ju lutem na ndihmoni", thuhet në deklaratë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›