E Diel, 1 Nëntor 2026

Lazaratasi qëllon me plumb në kokë bashkëfshatarin

Një sherr mes lazaratasish ka përfunduar me përdorimin e armëve në një lokal nate në lagjen "18 Shtatori" të Gjirokastrës. Ngjarja e rëndë ka ngritur në këmbë policinë e Gjirokastrës, e cila ka eksperienca të hidhura nga përballjet me lazaratasit, por meqenëse edhe viktima edhe agresori janë pjesë e të njëjtit komunitet, ngjarja e djeshme nuk është pasuar nga trazira.

Plagosja

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas policisë së Gjirokastrës, dy të rinj nga Lazarati u grindën për shkaqe banale dhe njëri prej tyre përfundon në spital i plagosur me armë zjarri. Shtetasi Lorenc Basha, 25-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, ka plagosur me armë zjarri tip pistoletë bashkëfshatarin e tij Krenar Toti 31 vjeç.

Fatmirësisht, Krenar Toti, edhe pse i qëlluar me një plumb në kokë nuk është në rrezik për jetën. Ai është çuar menjëherë në Spitalin e Gjirokastrës dhe kirurgu Roland Karalli tha se gjendja e të plagosurit ishte përmirësuar pas ndërhyrjes së mjekëve.

Pak minuta pas sherrit me armë, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Policia ka shoqëruar disa dëshmitarë të ngjarjes, mes të cilëve ishin E.Skënduli dhe V.Buci nga fshati Lazarat, shokë të Lorenc Bashës. Këta dy persona u arrestuan pak orë pas krimit, sepse nuk pranuan të bashkëpunonin me policinë, duke konsumuar kështu veprën penale "Moskallëzim i krimit". Grupi hetimor në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar më pas në cilësinë e provës materiale pistoletën tip "TT", me plumb në folenë e fishekut, një krehër me një fishekë, si dhe disa gëzhoja.

Autori

Ndërkohë, Lorenc Basha është shpallur person në kërkim dhe burimet policore thanë se qysh në orët e para të mëngjesit kanë nisur operacionet për arrestimin e tij. Por kapja e tij ka gjasa të mos jetë e lehtë, pasi Lorenc Basha ka një eksperiencë shtatëvjeçare në arrati. Basha ishte shpallur në kërkim policor në vitin 1999 dhe ishte dënuar në vitin 2001 nga Gjykata e Gjirokastrës me 10 vjet burg për grabitje me armë të kryer në bashkëpunim, por deri në shkurt të vitit 2006 policia nuk kishte arritur as t‘i afrohej, edhe pse ai jetonte në shtëpinë e tij, në fshatin Lazarat. Në fund të shkurtit të vitit 2006, pas ndërmjetësimit të kryetarit të Komunës Lazarat, Dashnor Aliko, Basha u dorëzua vetë në policinë e Gjirokastrës, me premtimin se ndaj tij do të zhvillohej një gjyq tjetër. Ai u dorëzua së bashku me shtetasin Serjan Çela dhe që të dy ishin shpallur në kërkim që prej vitit 1999, për ngjarjet që ndodhën në këtë kohë përgjatë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Shumë shpejt Lorenc Basha arriti t‘i lante hesapet me drejtësinë dhe prej kohësh lëvizte i lirë në Lazarat e Gjirokastër, madje edhe i armatosur.

Historia

Dy "sulmet" e banorëve

të Lazaratit mbi Gjirokastër

Gjirokastritët e mbajnë mend mirë se vrasja apo plagosja e lazaratasve nuk është njësoj si e qytetarëve të tjerë. Në dy vitet e fundit ata kanë parë dy herë se çfarë janë në gjendje të bëjnë banorët e fshatit rebel, kur njëri prej tyre preket.

Djegia e "Energji Pub"

Më 13 nëntor të vitit 2006, qyteti i Gjirokastrës përjetoi tri orë ankthi, pasi një grup banorësh nga Lazarati, të irrituar për vrasjen e një bashkëfshatarit të tyre, u "hakmorën" ndaj autorëve të krimit. Një banor i Lazaratit u vra me armë zjarri pas një sherri me dy vëllezër nga Memaliaj, pronarët e "Energji Pub" në lagjen "18 Shtatori" të Gjirokastrës. Përplasja me armë ndodhi rreth orës 14:30 të 13 nëntorit, ndërsa në mbrëmje bashkëfshatarët e viktimës dogjën lokalin dhe gjithçka gjetën pranë tij. Lajmi i vdekjes së 26-vjeçarit Gurgas Selimi ka shërbyer si "benzina" e hedhur mbi zjarrin e të rinjve nga Lazarati, të cilët ishin grumbulluar pranë spitalit të qytetit për të mësuar mbi fatin e tij. Kur morën lajmin e vdekjes, një nga zonat më të populluara në qendër të Gjirokastrës u shndërrua në shesh beteje. Policia, edhe pse ishte e pranishme në vendin e ngjarjes, u tërhoq, duke lënë lazaratasit të shkatërronin e t‘i vinin flakën lokalit ku ndodhi vrasja e bashkëfshatarit të tyre, si dhe disa dyqaneve e makinave pranë këtij lokali.

Sulmi mbi komisariat

Më 7 shtator të vitit 2007, zemërata e lazaratasve u zbraz mbi Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës. Sabri Shurdhi, një i ri nga Lazarati, i cili ishte person i shpallur në kërkim, u vra gjatë një operacioni të forcave speciale të policisë brenda në fshatin Lazarat dhe kjo ngjarje u pasua me një sulm të banorëve të Lazaratit mbi policinë në Gjirokastër. Rreth orës 10:00 të asaj dite, shumë banorë të fshatit rebel nisën të grumbulloheshin përpara Komisariatit të Gjirokastrës dhe kanë nisur të godasin me shqelma portën kryesore të komisariatit dhe më pas dufin e tyre e kanë vijuar me gurë e mjete të forta mbi xhamat e postbllokut policor. Minutë pas minute, grupi i lazaratasve ka ardhur duke u rritur dhe krahas kësaj ka nisur të rritet edhe dhuna mbi automjetet e policisë në rrugën përpara komisariatit dhe në brendësi të oborrit të tij. Në pak minuta, rrugët e Gjirokastrës u boshatisën nga frika. Nga dhuna e banorëve të irrituar u shkatërruan gjithsej shtatë automjete, ndërkohë që furgoni i policisë u dogj. Situata u normalizua vetëm rreth orës 12:30 të asaj dite, kur kryetari i Komunës Lazarat, Dashnor Aliko, filloi negociatat me turmën. Ende askush nuk është dënuar për këtë ngjarje të rëndë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›