E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shqipëria, me borxh të lartë dhe pak të ardhura"

Institucioni financiar ndërkombëtar, "Moody‘s", ka bërë vlerësimin e radhës për vitin 2008, për sa u takon aftësive paguese për kreditë dhe stabilitetin financiar të Shqipërisë. Raporti është publikuar këto ditë, në një kohë kur qeveria po planifikon të marrë kredi tregtare në nivele prej 250 milionë eurosh. Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet me "B1", aq sa ishte edhe në vitin 2007, por me një ndryshim, duke shtuar edhe termin "e qëndrueshme". Rezultati "B1" është një term teknik në botën e financave, kur maksimalja është "A111", që tregon aftësinë e një vendi për shlyer kredi dhe qëndrueshmërinë e tij në financat publike. Hartuesi i këtij raporti, Joan Feldbaum-Vidra, tha se "vlerësimi për Shqipërinë u mor duke pasur parasysh disa faktorë, siç janë niveli i të ardhurave, borxhi i jashtëm dhe tregtia e jashtme". Sipas tij, Shqipëria ka nivel të lartë borxhi dhe njëkohësisht të ardhura të pakta, falë punës jo të mirë të bërë nga administrata tatimore. Po ashtu, llogaria korrente, e cila paraqitet tepër negative, si dhe problemi i pronave, bënë të mundur dhënien e një vlerësimi jo fort pozitiv. Pavarësisht kësaj, autori i raportit shton se karakteri i ekonomisë shqiptare nuk do të lejojë zgjerimin e rënies të GDP-së. Megjithatë, zv/ministri i Financave, Shehu, tha për "shqip" se vlerësimi i "Moody‘s" është tepër pozitiv, pak a shumë i njëjtë si me vendet e rajonit. "Nota ‘B1‘ do të na ndihmojë në marrjen e kredisë prej 250 milionë eurosh, ndërkaq po përgatitemi të marrim një tjetër vlerësim nga një kompani e njohur", tha Shehu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›