Korçë, universiteti nderon kryepeshkopin Janullatos
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, është vlerësuar nga Universiteti i Korçës me titullin "Doktor Honoris Causa". Me motivacionin për kontributin e tij të shquar akademik në fushën e teologjisë, si dhe për veprimtarinë shoqërore me vlera të mëdha në forcimin e dialogut dhe tolerancës fetare midis qytetërimeve, Kryepeshkopit Janullatos i është dorëzuar titulli në një ceremoni të mbajtur në ambientet e universitetit "Fan Noli". Ka qenë një propozim i senatit të këtij universiteti që i ka akorduar këtë titull kreut të kishës ortodokse. Në ceremoninë e rastit është vlerësuar veprimtaria shkencore në fushën e teologjisë e kryepeshkopit, në praninë e pedagogëve, studentëve, përfaqësuesve të klerit dhe të pushtetit lokal. Janullatos ka mbajtur me këtë rast një leksion mbi bashkëjetesën fetare. Kryepeshkopi ka referuar studimin e tij me titull "Vlerat mbarënjerëzore të feve", që është përshëndetur nga ana e drejtuesve të këtij universiteti. Nga ana e tij, rektori Gjergji Mero ka vlerësuar kontributin e Kryepeshkopit Janullatos si personalitet i shquar në fushën e teologjisë, por edhe si mik i Shqipërisë dhe i qytetit të Korçës.