E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyfishohet numri i bizneseve të falimentuara

Gjatë vitit 2008, treguesit e të ardhurave vendore në tërësi, dhe të numrit dhe aktivitetit të biznesit në veçanti, si burim kryesor i qëndrueshëm i të ardhurave vendore, janë realizuar në parametrat e planit, me rritje, krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë këtij viti, nga 1720 biznese të planifikuara, janë regjistruar 1722, ndërkohë që në vitin 2007 numri i bizneseve të regjistruar ka qenë 1595. Sipas Fadil Tares, drejtorit të Departamentit të Tatim-Taksave në Bashkinë e Fierit, mësohet se numri i bizneseve të reja për vitin 2008 ka qenë 296, kurse numri i bizneseve të mbyllura ka qenë 155, nga 72 që janë mbyllur në vitin 2007 dhe 68 në vitin 2006.

"Numri i subjekteve të biznesit të vogël, paraqitur dhe regjistruar pranë Departamentit të Tatim-Taksave të bashkisë, ka një rritje prej 8-10%, nga viti 2006 e në vazhdim. Kjo reflektohet edhe në numrin e bizneseve të reja të regjistruara: në vitin 2008, rreth 92 subjekte më shumë se viti 2007. E veçanta është në rritjen e numrit të bizneseve të mbyllura: rreth dyfishin e atyre të planifikuara, apo të mbyllura një vit më parë" deklaroi Tare në një konferencë për shtyp.

Xhiroja e deklaruar nga subjektet e biznesit të vogël për vitin 2008 ka qenë 4.8 miliardë lekë, kurse xhiroja mesatare për njësi ishte rreth 2.8 milionë lekë. Sipas Tares, nga deklarimi i subjekteve, për efekt të pagesës së taksës vendore ka një rritje të xhiros, që shkon nga 10 deri në 12% në tri vitet e fundit. Ndërkaq, realizimi i të ardhurave arriti 76%, ku konkretisht nga biznesi u sigurua rreth 97%. "Të ardhurat vendore nuk janë realizuar sipas planit, ku ndikimin negativ e ka dhënë më tepër taksa e infrastrukturës, për shkak të mos hartimit të planit urbanistik. Arkëtimet nga legalizimet nuk u realizuan, për shkak se infrastruktura ligjore u miratua gjatë muajit tetor dhe procedurat filluan vetëm në fund të vitit", u shpreh Tare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›