E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralajmërimi/Mesazhet revolucionare të opozitës po dëmtojnë integrimin e Shqipërisë

Apeli i radhës i Brukselit: Opozita ka dalë jashtë çdo norme demokratike, greva e urisë dhe radikalizimi i situatës, në kah të kundërt me aspiratat e vendit. Zgjidhjet, vetëm brenda institucioneve. Sot pritet deklarata ndëshkuese ndaj bojkotit dhe grevës staliniste

Në prag të përpilimit të opinionit të Komisionit Evropian lidhur me progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, pas dorëzimit të përgjigjeve të Pyetësorit, eurodeputetët e Parlamentit Evropian, deklaruan dje se situata politike në Shqipëri përbën një cenim të imazhit të vendit, çka mund të reflektojë në agjencitë evropiane të Brukselit. Në takimin e parë të Komisionit të Asociim Stabilizimit, Shqipëri-BE, eurodeputetët u shprehën se protestat dhe greva e urisë, nuk shërbejnë për vlerësimin pozitiv të Shqipërisë.
Eurodeputeti Eduard Kukan, tha se “situata aktuale politika, ku opozita nuk merr pjesë ose merr pjesë pjesërisht ose në mënyrë të kushtëzuar në seancat parlamentare, është një pengesë për integrimin europian të Shqipërisë”.
“Të gjitha apelet që kanë ardhur nga organizata ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar situatën dhe lajmet që po vijnë nga Tirana, tregojnë se situata është bërë më e ndërlikuar dhe e vështirë”, u shpreh ai.
Ndërsa Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel deklaroi se zhvillimet politike pozitive të Shqipërisë janë të vëna në hije nga kriza politike. Ai tha se kjo vjen në momentin më të gabuar për vendin, pasi KE është duke hartuar opinionin zyrtar për statusin kandidat të Shqipërisë.
“Kjo jep imazhin e një vendi që nuk përmbush ende standardet europiane e një demokracie të pjekur dhe dëmton imazhin e vendit, si dhe vë në rrezik progresin e mëtejshëm. Manifestimet e bëra gjatë fundjavës edhe pse paqësore, peshojnë në këtë imazh negativ, jo sepse kundërshtimet politike në vetvete, pasi ato janë normale në jetën demokratike të një vendi, por mungesa e debatit politik në parlament në vend të atij të rrugës bllokon progresin. Kam një pyetje për juve, a janë grevat e urisë një mjet për të avancuar në këtë moment që ne po përgatisim opinionin e Shqipërisë?”, deklaroi zyrtari i lartë i Brukselit.
Jelko Kaçin, eurodeputeti çek ishte më i prerë në reagimin e tij. Ai hodhi dyshime të forta se ata persona që kanë hyrë në grevë urie janë të paguar mirë nga partia organizatore.
“Greva e urisë po përcjell një mesazh tejet të gabuar. Unë mendoj se ata që kanë hyrë në grevë, nuk janë të uritur, por janë të mirë paguar. Ka plot mënyra të tjera për të treguar pakënaqësinë në demokraci dhe është e papranueshme për një vend aspirant, ngujimi i qytetarëve dhe madje edhe vetë deputetëve në grevë urie”, u shpreh Kaçin.
Sipas tij, greva e urisë zhvillohet në një vend ku ka diktaturë dhe mbizotëron shtypja e lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe nëse Shqipëria pranon se është në diktaturë atëherë le ta thotë hapur këtë.
“Shqipëria ka tashmë një demokraci të konsoliduar dhe funksionale, më duket e pajustifikueshme e urisë apo edhe protestat e përditshme të lidershipit socialist”, theksoi eurodeputeti Kaçin.
Pas tyre kanë marrë fjalën deputetë të opozitës dhe të mazhorancës, duke dhënë argumentet a tyre për situatën politike në vend.
Deputeti demokrat, Fatos Beja tha se mazhoranca i ka bërë disa oferta opozitës për pretendimet e saj, por kjo e fundit për asnjë moment nuk është ulur në tryezën e diskutimit. Ai vuri në dukje se “në Shqipëri po shihet një radikalizim i situatës, e provokuar kjo nga disa mesazhe revolucionare”.
Eurodeputetja gjermane Doris Pack, u shpreh se përmes protestave dhe grevës së urisë, Edi Rama ka krijuar një terren të papërshtatshëm për Shqipërinë, në Bruksel. Sipas saj, Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm, por situata aktuale politike, nuk është normale.
“Shqipëria është shumë pranë Bashkimit Evropian. Ka plotësuar shumë kritere. Nëse imazhi i Shqipërisë përkeqësohet në evropë me situatën e tanishme, nga protestat dhe greva e urisë, kjo sigurisht që nuk është një moment i mirë për vendin. Ata do të mendojnë se situata në Shqipëri është një katrahurë dhe kjo do të ketë kosto të rënda si për liberalizimin e vizave ashtu edhe për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Protestat e vazhdueshme dhe greva e urisë e demonstruar së fundmi, ka rikthyer pesimizmin në radhët e evropianëve, pavarësisht se partia opozitare në Shqipëri nuk e ka llogaritur këtë kosto të rëndë”, u shpreh eurodeputetja Pack.
Protestat dhe grevën e urisë e dënoi edhe eurodeputetja Marie Cornelissen, e cila tha se autoritetet shqiptare duhet të vijojnë punën e tyre sipas marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Shqipëri-BE.
Nga ana e tyre, deputetët socialistë shqiptare kanë sqaruar se greva e urisë ishte një domosdoshmëri. “Greva e urisë nuk ishte zgjedhje, por detyrim para kapricove të qeverisë”, ka deklaruar Valentina Leskaj.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Jemin Gjana, i cili ka theksuar se nëse PS kërkon një zgjidhje, duhet të respektojë Kushtetutën. “Zgjidhja duhet të jetë në përputhje më kushtetutën”, ka theksuar Gjana.
Eurodeputeti socialdemokrat Victor Boshtinaru u shpreh në mbështetje të PS, ndërsa eurodeputetët e tjerë kërkuan që Brukseli të ndikojë në zgjidhjen e çështjes dhe uljen e palëve në tryezën e bisedimeve.
Në këtë drejtim, deputetja e PD, Mesila Doda ka shprehur gatishmërinë e mazhorancës për t’i lejuar opozitës drejtimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›