E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk pushojnë mallkimet për qoftet e prishura, as kënga e Ilir Beqjes s’premton normalitet

Kronika e grevës së urisë, vëzhguar sipas standardeve alla “Big Brother” (3)

- Beqja i kushton Shegush Ligorit këngën “Moj kumria e Elbasanit”. Gjetja është jo e qëlluar, pasi këndohet me “ajër oriental” dhe neglizhohet personifikimi i kumrisë, si një zog i pafat
- Si refren konsensual i grevës, fiton ritmi “Njëri hyn e tjetri del/ikën një Spiro e vjen një Vangjel”, por domethënia pritet të rishpjegohet nga një votim i përbashkët në oborrin e çadrave

Megjithë kujdesin e madh dhe këshillat e mjekut Sabit Brokaj, qoftet e prishura të konsumuara ditën e parë nga ana e grevistëve të urisë, ende vazhdojnë të japin efektet e tyre negative. Dje, në ditën e tretë të grevës së urisë së deputetëve e militantëve të PS-së, deputetja e Qarkut të Durrësit, ka lënë ambientet e grevës dhe ka përfunduar në spital. Pavarësisht përpjekjeve për të fshehur shkakun e vërtetë të kësaj braktisje të grevës së urisë, mësohet se ai lidhet me një gjendje të rënduar të stomakut, nga konsumimi i qofteve të zgarës, të pakontrolluara.
Në mënyrë indirekte, këtë e konfirmoi dje deputeti i Qarkut të Beratit Erion Braçe. Duke shpërndarë nëpërmjet “Facebook”-ut një tip “njoftimi zyrtar”, Erion Braçe, “sqaronte” se “deputetja Spahiu vuan nga ulcera dhe ka pasur probleme në stomak!!!...”.
Duke “shmangur” nga përgjegjësia qoftet e prishura, dhe duke “inkriminuar” ulcerën virtuale, Erion Braçe “në vend që të vinte vetullat nxori sytë” me “njoftimin zyrtar” të shpërndarë në “Facebook”. Kjo dukej nga mekja e tij, përballë pyetjeve që “friends”-at i bënin, sikurse ishin “Kur e dinit që Klodi (sikurse i thirri Edi Rama me përkëdheli), ishte me ulcer, pse e lejuat të hynte në grevë?”.
Apo, apo, kishte “këshilla” në kufijtë e cinikes, kur i shkruanin në “profilin” e tij Erion Braçes, “se për se nuk futën në vend të Klodit, Arta Daden, apo Valentina Leskaj, ose edhe të dyja së bashku, për të rritur kështu edhe përqindjet e përfaqësimit të femrave në një grevë urie”.
Pas pyetjes, “kush mban përgjegjësi që deputetët grevistë, u lejuan të konsumonin qofte, që s’plotësonin kushtet më elementare higjienike”, Erion Braçe, u mjaftua me një “exit”, për të “mos u bërë më i gjallë në ‘Facebook’”.
* * *
Erion Veliaj, nuk po mundet të ambientohet me “regjimin” e grevës së urisë. Pas dy netësh, “ngujimi” në çadrën e grevës së urisë, Erion Veliaj mësohet se, “nuk po vë gjumë në sy”.
Arsyeja është se ai dëgjon zëra natën. Kjo bëhet edhe më e besueshme, kur mësohet se krevati i tij është në anë të çadrës, saktësisht nga ana e trotuarit, akoma më sakt, ngjitur me trotuarin.
Të kuptohemi, ai edhe mund të ketë shfaqur shenja rrjedhjeje apo shkarjeje, por deri sa nuk e kemi të konfirmuar një gjë të tillë, as nga mjeku Sabit Brokaj, nuk kemi pse “ti biem në qafë” truve të militantit të PS-së, i cili “parte time”, bën edhe rolin e kreut ët G 99-ës.
Për të mos u larguar nga argumenti...
Zërat që dëgjon Erion Veliaj, mësohet se janë “mixer”.
Kështu, atij herë i bëhet sikur dëgjon zëra mbështetësish të opozitës, që kërkojnë hapjen e kutive. Po, kur Erion, ndërron gjendje dhe nga tentativa e përgjumjes, i “bëhen sytë filxhan”, ai dëgjon zërat të tjerë, këtë herë grash, që e shajnë. Bashkë me fëshfërimën e fshesave prej gjineshtre, ai dëgjon, listën e deputetëve grevistë, të cilët marrin secili nga një sharje dhe vetëm kur i vjen radha edhe emrit të tij, kupton se janë fshesaxheshat e Ndërmarrjes së Gjelbërimit, që inatin e kanë dhe e shprehin në formën, “deputetët e m..., vetëm për të dh... ju ka ngelur të bëni tani”.
Tashmë i bindur që gjumi ka kapitulluar në sytë e Erion Veliajt, ai kupton se fshesaxheshat artikulonin një të vërtetë, që era e rëndë që kundërmon, brenda çadrës së grevës së urisë, por edhe jashtë saj, nuk lë vend për “përgënjeshtrim”...
* * *
Pavarësisht situatave jo normale, që afër mendsh janë tregues i një greve urie në tentativë, në ambientet e çadrës së kësaj tip greve urie, nuk mungojnë edhe çastet e tipit “alegria”.
E pabesueshme, por gjithsesi duhet marrë në konsideratë, shumë, shumë seriozisht, se protagonisti i çasteve “alegro”, është deputeti i Qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja.
Grevistët e tjerë të urisë, tregojnë se Ilir Beqja, po demonstron një formim të një stereotipi të ri, njëlloj si qeni i Pavllovit, kur diku rreth mesditës, pasi ka ngrënë me ëndje mëngjesin, ai ia nis një kënge.
“Kujt i këndon...?”, do të pyes ndonjë kureshtar.
As më shumë e as më pak, mësohet se i këndon Shegushe Ligorit, deputetes së Qarkut të Elbasanit, këngën “Moj kumri e Elbasanit”.
Kënga këndohet nën “vijën melodike” të ajrit oriental (lexo të pordhave të paidentifikuara)
Por, “alegria” e Ilir Beqja, nuk zgjat më shumë se sa zgjat kënga e tij e përditshme.
Pastaj ai zhytet në qetësinë e tij, sa dikujt i vjen keq që ai ekziston, e dikujt nuk i bën përshtypje se ai ekziston.
Problemi lind pas këngës së Ilir Beqjas.
Këtë herë është Shegushja, që bluan me mendjen e saj përqasjen, apo paralelizmin e “jetës së saj politike”, me jetën e “kumries këngëtare”.
Shegushja, nuk është se e njeh shumë folklorin, por ka dëgjuar dhe ka mësuar aq nga folklori i Elbasanit, se kumria, është një zog i pafat, me një “karrierë” të shkurtër si këngëtare. Duke dëgjuar këngën e Ilir Beqjas, Shegushja parasheh “fatin e saj jetëshkurtër” në politikë të ngjashme, me “karrierën jetëshkurtër” të këngëtares kumrie.
Në këtë momente, sigurisht të këqija, ajo është gati ta hajë Ilir Beqjan, por gjithmonë ky moment ndodh pasi ajo ka marrë “dozën” e nevojshme, në kufijtë e ngopjes me salsiçe.
* * *
Ndërsa Ilir Beqja ka një moment të vetëm “alegrie”, deputetët e tjerrë grevistë të urisë, duke e parë se kjo gjendje e tij, nuk shkon më shumë se sa kënga për Shegushe Ligorin, kanë kompozuar një këngë të tyren, që e quajnë “himn” dhe që e këndojnë për inat, dhe sa herë, ndonjë vizitor që vjen sa për t’u dukur, largohet nga çadra e tyre.
“Njeri hyn e tjetri del,/ hyn një Spiro, del një Vangjel”, janë disa nga vargjet e kësaj kënge “himn”.
Ideja për një këngë, nuk dihet kujt i lindi, por ajo që dihet me siguri, është momenti i lindjes ë kësaj kënge. As, më shumë e as më pak, kjo këngë korrespondon në lindjen e saj, me momentin e largimit nga greva e urisë, të dy deputetëve Arben Malaj e Taulant Balla. Duke e kuptuar pas këtij momenti, se ata si “mbetje” e deputetëve grevistë, nuk ishin asgjë më shumë se sa “të gënjyer” e “të mashtruar”, grevistët deputetët të urisë, në pritje që emri i tyre të futet në ndonjë delegacion parlamentarësh, vendosën të ngushëllohen me krijimin e këngës “himn” të tyre.
Një gjë e tillë, mësohet se lindi edhe si nevojë e ironizimit dhe talljes me “vizitorët” që në emër të “solidarizimit”, hyjnë e dalin nga çadra e grevës së urisë.
Zërat jo dashamirës, në koment të vargjeve “Njeri hyn e tjetri del,/ hyn një Spiro, del një Vangjel”, thonë se me “Spiro” nënkuptojnë Elisa Spiropalin, ndërsa me “Vangjel”, nënkuptojnë Vangjel Dulen.
Gjithsesi këto “konkluzione” ngelen për tu verifikuar, për aq kohë, sa tani për tani janë vetëm “zëra”...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›