E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kërkojmë kryesimin e OSBE në 2014



Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta takoi në Vjenë Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Perrin de Brichambaut. Gjatë bisedës, kreu i diplomacisë shqiptare konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e Tiranës zyrtare për të kryesuar OSBE-në në vitin 2014. "Z. Meta dhe Z. Brichambaut vlerësuan me kënaqësi se bashkëpunimi mes OSBE-së dhe Shqipërisë është shumë i mirë në të gjitha nivelet, në Vienë si dhe në Tiranë. Ky bashkëpunim përbën një themel të fortë për kërkesën e shprehur nga Shqipëria për të kryesuar OSBE-në në 2014. Biseda u fokusua në përgatitjet e nevojshme për të siguruar një kryesim të suksesshëm. Ministri Meta e informoi Sekretarin e Përgjithshëm për masat e planifikuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke theksuar se Shqipëria është e vetëdijshme për rëndësinë dhe përgjegjësinë që mbart një ndërmarrje e këtyre përmasave", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në këtë takim, Ministri i Jashtëm theksoi se po i kushtohet përgatitjes së ekipeve diplomatike në Vjenë dhe Tiranë, si dhe mundësive për të caktuar diplomatë shqiptarë në Misionet në terren të OSBE-së dhe në Sekretariatin e OSBE-së. "Brichambaut shprehu mbështetjen e plotë të Sekretariatit të OSBE-së për këto iniciativa dhe për planet përgatitore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke e garantuar z. Meta që caktimet e diplomatëve shqiptarë në Misionet e Terrenit dhe në Sekretariat janë të mirëpritura. Gjithashtu, ai nënvizoi gatishmërinë e Sekretariatit për të asistuar Shqipërinë gjatë këtyre fazave përgatitore", thuhet më tej në njoftimin për mediat. Gjithashtu biseda u fokusua në prioritetet aktuale të Organizatës, kryesisht mbi Procesin e Korfuzit, që synon vendosjen e besimit dhe konfidencës ndërmjet shteteve pjesëmarrëse, për një OSBE më të mirë e më të sigurt nga Vankuveri deri në Vladivostok.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›