E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Koalicion me PS, kryeministri jo kusht

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje se do të bëjë përpjekje pas zgjedhjeve të bashkojë të gjithë të majtën. “Në 29 qershor do të dal dhe do të ftoj të gjithë të majtët, Ramën, Nanon edhe Gjinushin, të gjithë faktorët për të krijuar një qeverisje të majtë të qëndrueshme. Marrëveshja qeverisëse e të majtës do të bëhet shumë transparente dhe nuk do lejojmë njeri ta shkelë atë. Nuk ka kusht nga LSI se kush do të jetë kryeministër i vendit, nëse do të jetë Ilir Meta apo dikush tjetër nga LSI apo PS”, u shpreh Meta. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri gjatë emisionit “Ora e debatit” në Ora News me gazetarin Alfred Peza. Sipas Metës, Edi Rama i ka dhënë zgjidhje problemit të tij, ai është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe është i vendosur të çojë deri në fund mandatin që i kanë dhënë qytetarët e Tiranës. Kryetari i LSI-së u shpreh se kjo parti ka programin më të qartë, më konkret dhe mbi të gjitha transparent që mund të nxjerrë vendin nga kriza aktuale. Duke folur për marrëdhëniet me PS-në dhe historinë e përjashtimeve të mëdha në këtë parti, Meta tha se përgjegjës për këto përjashtime nuk është vetëm Fatos Nano. “Rolin më aktiv në përjashtimin e atyre socialistëve që krijuan më pas LSI-së, pas kongresit të dhjetorit 2003 e kanë pasur Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj, të cilët asnjëherë nuk kanë pasur ideal socialist, por kanë qenë aty dhe kanë ndikuar fort vetëm për të ruajtur interesat e tyre ekonomike. Ata sot, si përfaqësues të politikës së re, mohojnë çdo gjë që socialistët kanë bërë në 18 vjet, ku ata kanë pasur detyra drejtuese”, tha Meta. Kreu i LSI-së ripërsëriti dje ambiciet dhe programin të tij qeverisës, si punësimi, inkurajimi i biznesit dhe prodhimit vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›