E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika e vjetër na ka përçarë

 

Peshkopi / Hasan Pasha

Kryetari socialist Edi Rama zhvilloi një takim masiv me banorët e Dibrës, ku kërkoi votën e tyre në 28 qershor. Kryetari socialist Rama kërkoi dje nga Dibra një Shqipëri pa kryeministër Sali Berishën. Në prani të mijëra dibranëve, të ardhur nga fshatrat dhe qyteti i Peshkopisë, kreu socialist shprehu bindjen se të gjithë shqiptarët do të bashkohen në një zë të vetëm për t’i dhënë përgjigjen e duhur kryeministrit në ikje, Sali Berisha. “Është një mësim i madh për të kuptuar sa e vështirë është jeta e njerëzve në të gjithë vendin dhe sa e gabuar ka qenë dhe është politika e vjetër e të shkuarës, me premtime dhe gënjeshtra, të cilat duhet të marrin fund për t’i hapur rrugë një marrëdhënie të re, për të cilën nevojitet një bashkim i madh i shqiptarëve përtej kufijve të partive politike”, u shpreh Rama. Dega socialiste e Dibrës njoftoi dje se, “pak minuta para mitingut ish-agjentë të SHIK-ut në vitet 1992-1996 dhe zyrtarë të administratës lokale kanë tentuar të pengojnë lëvizjen e anëtarëve dhe simpatizantëve socialistë nga komunat për në qendër të qytetit Peshkopi”. Edi Rama në fjalën e tij para banorëve të Dibrës përmendi plagët e çelura të mjerimit shqiptar, varfërinë ekstreme dhe makutërinë e tejskajshme të qeveritarëve, degradimin dhe kushtet mjerane të arsimit e shëndetësisë, analfabetizmin dhe braktisjen e shkollës, vjedhjet e qeveritarëve, mbi të gjitha abuzimet marramendëse në rrugën Durrës-Kukës, korrupsionin masiv të kthyer në sistem, keqqeverisjen apo qeverisjen familjare të Berishës, premtimet e pambajtura të 18 viteve për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë etj. Ai nënvizoi se, “në çdo skaj të vendit njerëzit me të drejtë ankohen për kostot e larta të prodhimit, për çmimet e pamundura të karburanteve, për farërat, për pamundësinë e tyre për të nxjerrë prodhime në treg”. “Politika e vjetër e së shkuarës ka ardhur këtu, ka shkuar kudo, kryesisht për fushata elektorale dhe gjithë kohën me një armë në dorë, armën e përçarjes, armën e dasisë, akuzave, shpifjeve, sharjeve për kundërshtarët. Ne kemi përgjegjësinë e patjetërsueshme që historia të mos përsëritet”, tha kreu socialist në mitingun e degës lokale të Partisë Socialiste Dibër. Sipas Ramës, shqiptarët kanë të njëjtin hall, e ndaj duhet të bashkohen për të larguar kryeministrin e për të hapur një epokë të re. “Eshtë koha për të mos i ngrënë me gënjeshtrat e politikës së vjetër, për të mos e pranuar më përçarjen që politika e vjetër fut mes nesh”, pohoi Rama dje në Peshkopi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›