BE-Shqipërisë: Luftoni korrupsionin!
Trojka Europiane paralajmëron shtyrje të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat
TIRANË- Trojka Europiane i kërkon Shqipërisë të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe të garantojë pavarësinë e gjyqësorit. Ministri i Punëve të Jashtme u takua dje me Trojkën e BE-së, që përbëhej nga ministrat e Punëve të Jashtme të Presidencës aktuale dhe asaj të ardhshme, respektivisht, ministri çek, Karl Schëarcenberg dhe ai suedez, Carl Bildt, si dhe Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Rober Kuper, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Sekretariatin e Këshillit Evropian.
Ky ishte takimi i fundit në këtë kuadër, pasi me hyrjen së shpejti në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit të Shqipërisë me BE-në, dialogu Shqipëri-BE do të strukturoret në forma më të ngushta bashkëpunimi. "Ne përsëritëm domosdoshmërinë për vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për garantimin e pavarësisë të gjyqësorit",- tha Karel Schëvarzenberg, ministër i Jashtëm i Çekisë.
Ky i fundit ka deklaruar qartë edhe pozicionin e Shqipërisë në raport më kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE. "Nuk ka dyshim që presidenca çeke dhe suedeze janë më të hapurat në shtrirjen e BE-së në Ballkan.
Shqipëria është e ftuar të bëhet anëtare e BE-së. Nëse ju do më ftoni në shtëpinë tuaj, unë e pranoj ftesën, por nëse në atë moment janë çarë tubat dhe shtëpia noton në ujë, ju nuk do jeni shumë mikpritës.
Nga kriza ekonomike, BE-ja është si një shtëpi e mbushur me ujë. Pra, nxirrini vetë konkluzionet e kësaj",- vijoi Schëvarzenberg. Ndërsa për liberalizimin e vizave, BE-ja kërkon futjen në përdorim të pasaportave biometrike, si dhe kujdes të vazhdueshëm politik dhe administrativ për këtë çështje.