E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, vëzhguesit e parë, më 15 mars

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, konfirmon vizitën e misionit

TIRANË- Misioni i parë vëzhgues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pritet që të mbërrijë në Tiranë në datat 15-16 Mars. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka deklaruar dje për mediat se, në mesin e muajit mars do të mbërrijnë edhe vëzhguesit e parë për të vlerësuar nevojat e qeverisë për monitorimin e zgjedhjeve.


"Qeveria shqiptare është gati për zgjedhjet e qershorit. Ju e dini që OSBE-ODIHR-i do të vëzhgojë zgjedhjet. Nga datat 15- 16 mars do të vijnë dhe vëzhguesit e parë për të vlerësuar dhe nevojat e qeverisë për monitorimin e zgjedhjeve",- tha Bosch. Mbërritja e afërt e misionit të vëzhguesve u bë e ditur pak kohë më parë nga Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade. Misioni i vëzhguesve do të monitorojë pikërisht procesin e ndjekur deri më tani.

Zyrtarë të lartë të PS-së kanë denoncuar jo pak faktin se qeveria nuk po angazhohet siç duhet në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Edhe ndërkombëtaret i kanë mëshuar këtij fakti, teksa në çdo takim të zhvilluar me përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar nuk harrojnë të theksojnë se kartat dhe pasaportat mbeten detyra kryesore e qeverisë para zgjedhjeve.


Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë, gjithashtu, kushti për integrimin e Shqipërisë në BE. Kryeministri i vendit Sali Berisha, ka përkrahur angazhimin për zgjedhje të lira, ndërkohë që në emër të qeverisë shqiptare ka kërkuar vëzhgues, me qëllim monitorimin e zgjedhjeve nga afër. Vizita dyditore e misionit të vëzhguesve, pritet që të përfundojë me një draft-raport parazgjedhor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›