E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja e Tiranës, Berisha 'zgjedh' Bumçin kryetar

Zgjedhja e kryetarit të degës Tiranë, nuk do të jetë e afërt, por, Kryeministri Berisha ka shprehur preferencën e tij për Bumçin


TIRANË- Gara për kreun e degës më të madhe të Partisë Demokratike, atë të kryeqytetit, duket se ka marrë fund ende pa kaluar në fazën e parafundit, atë të zgjedhjes së kryetarëve të 11 grupseksioneve, e më pas të kryetarit të degës.

Emri i zëdhënësit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, është kandidati i vetëm që përflitet deri më tash, si i preferuari i Kryeministrit Sali Berisha, nga zyrtarët e lartë të PD-së.

Burime nga kjo parti kanë deklaruar dje për "Shekulli"-n se nuk bëhet fjalë për verdiktin e forumeve të kësaj force, pasi ato nuk janë mbledhur ende, por për një preferencë të shprehur nga vetë Kryeministri në rrethin e ngushtë të lidershipit të lartë të partisë. Kandidaturën favorite të tij për postin e kryetarit të degës Tiranë, e pranojnë thuajse të gjithë kandidatët e tjerë për këtë degë.

Deri më tani, i vetmi kandidat që ka dalë më një platformë dhe program të qartë për degën e Tiranës, ka qenë Besnik Mustafaj, i cili po ndjek në heshtje zhvillimet më të fundit brenda partisë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha nuk e ka komentuar asnjëherë gjatë kandidaturën e ish-mikut të tij prej vitesh, Besnik Mustafaj, porse ka shtuar se kjo është e drejtë e gjithsecilit.


Por, kjo deklaratë e shkurtër e tij ka lënë të kuptojë qartë për zyrtarët e tjerë në PD se, kësaj here, ai nuk do të ishte pro një kandidimi të tillë. Edhe vetë kandidati për postin e kryetarit të partisë së degës më të madhe, Besnik Mustafaj, u shpreh pak kohë më parë se kandidimin e tij, ai e bazonte vetëm në statutin e partisë.

Por, krahas Mustafajt, nga mbledhjet e seksioneve që kanë përfunduar tashmë, rezultoi i votuar edhe deputeti i PD-së, Edi Paloka, ndërkohë që Lajla Pernaksa apo Gjergji Bojaxhi, ishin më tepër kandidatura që u hodhën nga strukturat zyrtare për t'u testuar më pas nga seksionet.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për deputetin Aldo Bumçi, i cili aktualisht është deputet në qarkun e Lezhës. Por, dëshira e Kryeministrit Berisha për ta katapultuar dhe hedhur si kandidaturën më favorite në Tiranë, për shkak të figurës së tij dhe predispozicionit të Bumçit për të mbështetur vendimet e lidershipit të partisë, e veçanërisht të kryetarit, ka bërë që një emër i tillë të lançohet edhe në mbledhjet e seksioneve, (që asistohen nga të dërguarit e partisë), të cilët, për hir të së vërtetës, nuk mund të vendosin asgjë për kryetarin e tyre.

Kjo sepse, në nenin 27 të statutit të PD-së, në kapitullin "Kryetari", thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Sipas nenit në fjalë, kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH-së.


Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Ndërkohë, PD-ja e Tiranës ka hyrë në fazën e mbledhjes së kryesive të 11 grupseksioneve, nga ku do të dalin kandidatët për kryetarë të secilit grupseksion.

Më pas do të behet një mbledhje e kryesisë së degës së PD-së, Tiranë, për të vendosur kandidatët zyrtarë për kryetarë të 11 grupseksioneve. Kjo fazë do të përfundojë jo vetëm me zgjedhjen e kryetarëve, por edhe me miratimin e delegatëve nga 11 grupseksione për të zgjedhur po përmes Kuvendit të degës, kryetarin e PD-së për kryeqytetin, periudhë e cila duket se nuk do të jetë afërt


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›