Pranohet padia e Rushekut kundër KMSH-së
Ish- nënkryetari i myslimanëve, i shkarkuar muajin e kaluar, pretendon se veprimi i KMSH-së ndaj tij është i padrejtë
TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pranoi dje shqyrtimin e kërkesë padisë së ish- nënkryetarit të Komunitetit Mysliman, Saimir Rusheku, për pezullimin e shkarkimit të tij në një mbledhje të KMSH-së një muaj më parë.
Gjyqtarja e çeshtjes, Teuta Hoxha, iu kerkoi palëve në proces evidentimin e provave shkresore dhe argumentimin e bazës ligjore mbi objektin e kësaj çeshtjeje, duke pranuar në këtë mënyrë edhe kërkesë padinë e ish- sekretarit të shkarkuar. Rusheku, i përfaqësuar nga avokati Shaqir Hasani, i kërkoi gjykatës shpalljen si të pavlefshëm të vendimit të Kryesise se KMSH-së me numër 32, të datës 9 tetor të këtij viti.
Avokati Hasani, pretendoi se ky vendim është marrë duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe dispozitat e Statutit te KMSH-se.
Përfaqësuesi i Rushekut, gjatë parashtrimit të kërkesës së tij, paraqiti disa prova shkresore, duke argumentuar se ishte shkelur Statuti i KMSH-së në nenet 23, paragrafi i dytë, si dhe neni 31.
"Kërkojmë rregullimin e pasojave juridike që kane ardhur nga zbatimi i këtij akti absolutisht të pavlefshem dhe kthimin e z.Rusheku ne gjendjen e mëparshme,- kërkoi përfaqësuesi i tij, përpara drejtueses së seancës.
Avokati Hasani, vijoi duke thënë se kishin të bënin me një shkelje flagrante të akteve ligjore dhe te dispozitave të statutit te KMSH-se. "Konstatojmë qartësisht se ka tendencë të tejkalimit të kompetencave të Këshillit të Përgjithshëm, si organi më i lartë vendim marrës dhe Legjislativ i KMSh0-së, nga një organ ekzekutiv siç është Kryesia e Komunitetit Musliman te Shqiperise. Kjo është pasqyruar dhe në procesin e votimit për shkarkimin e z. Rusheku.
Ky shkarkim nuk u zhvillua sipas dispozitave statutore, me votim të fshehtë por në mënyrë të hapur. Pala e paditur përfaqësohej në seancë nga juristi i KMSH-së, Selfo Dosti. Ai paraqiti pretendimin e tij se shkarkimi i n/kryetarit Saimir Rusheku, është kryer sipas Statutit të KMSH-së, duke e konsideruar veprimin e shkarkimit si një e drejte që i takon Kryesise se KMSH-se.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Hoxha, vendosi të pranojë shqyrtimin e kërkesë-padisë së Rushekut duke caktuar datën 25 nëntor për seancën e radhes, e cila u shty për datën 8 dhjetor pas kërkesës së palës së paditur.