Meta: Konsensus për barazinë e votës, presidenti i ri të jetë simbol i unitetit

Kreu i LSI-së përshëndet konventën Zgjedhore të Lëvizjes së Gruas për Integrim të Durrësit
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka deklaruar nga Durrësi se është kundër sistemit të ashtuquajtur spanjoll në këtë fazë të përgatitjes së reformës zgjedhore. Meta ka shfrytëzuar prezencën e tij në Konventën e Gruas për të bërë deklaratën në fjalë, duke shtuar se vota duhet të jetë e barabartë dhe se ai është dakord për një sistemi tjetër, pavarësisht formulës. “Qëndrimi i LSI, është që vota duhet të jetë e barabartë. Varianti i ashtuquajtur spanjoll, që është një variant deformues dhe diskriminues duhet të arkivohet dhe duhet gjetur mënyra për të arritur një konsensus pavarësisht nga puna, sepse ka disa të tilla, që vota e qytetarëve shqiptarë të jetë e barabartë. Është e shprehur qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”- u shpreh kreu i LSI-së. Meta është shprehur edhe për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se LSI është për një proces kushtetues dhe konstruktiv. “Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar për një proces konstruktiv. Një proces i tillë, absolutisht do të sillte një President tepër funksional, në drejtim të përmbushjes së misionit të tij kushtetues, rolit të tij edhe si simbol i unitetit kombëtar por edhe si një garant i funksionit të institucioneve të pavarura, dhe efikas”- tha ai.
...