E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në Shëndetësi, Berisha: Renditemi tek vendet e zhvilluara – sfidë financimi dhe lufta ndaj korrupsionit

08-04-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë tha sot se arritjet e deritanishme në sistemin shëndetësor janë frymëzuese për përsosjen e shërbimit shëndetësor në të gjitha hallkat e tij. Sipas kryeministrit, Shqipëria renditet tashmë në grupin e vendeve të zhvilluara për sa i përket treguesve që përbëjnë shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor të  një vendi. Shefi i ekzekutivit garantoi se qeveria shqiptare nuk do të reshtë përpjekjet për një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit dhe për të rritur transparencën në çdo procedurë


Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u zhvillua sot mbledhja e Task-Force për reformën në shëndetësi, ku u pasqyrua gjendja aktuale e sistemit tonë shëndetësore, sistemi financiar dhe përpjekjet për luftimin e korrupsionit në këtë sektor. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se përbën një arritje historike fakti që Shqipëria renditet tashmë në grupin e vendeve të zhvilluara për sa i përket treguesve që përbëjnë shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor të një vendi, siç janë vdekshmëria foshnjore apo ajo amtare apo vdekshmëria në tërësi e popullatës. “Këto arritje duhet të jenë një frymëzim i ri i madh për të gjithë sistemin tonë, në mënyrë që ti përsosim shërbimin shëndetësor në të gjitha hallkat e tij, të mund të afrojmë një shërbim shëndetësor cilësor dhe natyrisht objektivat që duhet të ndjekë nuk janë më të thjeshta. E vërteta është që janë një sfidë e vërtetë”- u shpreh kryeministri. Berisha theksoi se vdekshmëria foshnjore në vend ka arritur të jetë një shifrore. “Shqipëria sot arriti të ketë vdekshmëri amtare në një nga nivelet më të ulëta, Shqipëria sot qëndron në krye të të gjithë vendeve ish komuniste për vdekshmërinë e të rriturve më të ulët. Ka një studim, i cili ka studiuar vdekshmërinë nga viti 70 deri në 2010. Ne jemi afër portugezëve. Natyrisht vendet perëndimore e kanë më të ulët, si vendet anëtare të BE, si Franca, Gjermania, etj e kanë më të ultin. Më të lartë e kanë vendet ish komuniste. Në grupin e vendeve ish komuniste Shqipëria ka më të ulëtin.  E them këtë pavarësisht se rruga nuk është bulevard, por mundësitë janë shumë më të mëdha dhe ne kemi mundësi të zhvillojmë fuqishëm dhe në standardet më të mira çdo sektor, të investojmë në çdo degë dhe në çdo fushë, por ajo që është më kryesorja është të ruajmë eficencën”- tha kryeministri. Gjatë mbledhjes dhe diskutimeve me grupin e Task Forcës një vend të veçantë Kryeministri i dha zhvillimit dhe forcimit të shërbimit të kardiokirurgjisë së fëmijëve, për rolin e madh që ka ky shërbim në trajtimin e hershëm të defekteve të zemrës te fëmijët. Duke vlerësuar arritjet e përparimet në fushën e kardiopediatrisë e kardiokirurgjisë së fëmijëve shprehu  mbështetjen maksimale të qeverisë që këto shërbime të zhvillohen e forcohen më tej. Duke vënë theksin në rolin e rëndësishëm që ka shërbimi i hemodinamikës për fëmijë dhe të rritur, kryeministri kërkoi që të merren të gjitha masat e nevojshme që të zgjerohen, si dhe të rriten kapacitetet diagnostikuese dhe ndërhyrëse gjatë 24 orëve. Kryeministri vuri theks të veçantë që duhet rritur nr i pacientëve që përfitojnë nga transplanti i veshkave këtu në Shqipëri. Kryeministri përmendi gjithashtu edhe ecurinë e kënaqshme në drejtim të protokolleve të praktikës klinike apo kostifikimit të shërbimeve shëndetësore, të cilat janë procese që duhet të finalizohen dhe të përsosen më tej. Kryeministri renditi gjithashtu investime të rëndësishme në drejtim të teknologjisë, procesit të dixhitalizimit , etj, të cilat kërkojnë vijimësinë e funksionimit të tyre. “Është bërë një investim serioz në drejtim të teknologjisë, por kjo kërkon garantimin e funksionimit të saj. U inaugurua telemjekësia, por kjo kërkon shfrytëzimin maksimal të saj dhe ne vetvete vetë shfrytëzimi i potencialeve të saj përbën një sfidë për mjekun kudo që ndodhet. Përgatitje janë bërë për të ndërmarrë procesin më të plotë të dixhitalizimit. 15 milion euro është projekti më kushtueshëm. Projekti i dixhitalizimit të sistemit shëndetësor është projekti më i kushtueshëm që ne kemi si qeveri edhe më i kushtueshëm se edhe vete sistemi tatimor , etj, por ne kemi vendosur dhe do të bëjmë dixhitalizimin më të plotë”- tha kryeministri. Berisha theksoi se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet për një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit, ndonëse situata në këtë drejtim është përmirësuar ndjeshëm. “Studime të besueshme të opinioneve faktojnë se ka më shumë se përgjysmim, qartësisht më tepër se përgjysmim të ryshfetit, por u shpreh kryeministri, ne duhet të arrimë të realizojmë transparencën në çdo veprim tonin, në mënyrë që vetëm korrupsion të mos ketë”. Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi gjetjen dhe zbatimin e mekanizmave sa më efikase për të luftuar korrupsionin në çdo hallkë dhe për të rritur transparencën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›