E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Kroacia do heqë vizat për qytetarët shqiptarë



Zëvendëskryeministri e Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Kroaci, nga ku mori premtimin se qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë së shpejti pa viza në këtë vend. Në takimin me homologun kroat Gordan Jandrokovic, u diskutuan më tej çështje të marrëdhënieve dypalëshe. “Meta vlerësoi se ekzistenca e regjimit të vizave për shqiptarët që kërkojnë të shkojnë në Kroaci dhe mungesa e fluturimeve direkt mes Tiranës dhe Zagrebit krijojnë vështirësi për nxitjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomiko-tregtare dhe për afrimin mes popujve tanë. Në këtë kontekst z. Meta u sigurua nga ministri Jandrokovic se pala kroate do të angazhohet seriozisht për të gjetur një zgjidhje, për të hequr regjimin e vizave me shqiptarët, duke konsideruar si shumë pozitiv progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave me BE”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Në bashkëpunimin dypalësh u nënvizua nevoja e rritjes së shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, si dhe u ra dakord që së afërmi të mblidhet Sesioni i Tretë i Komisionit të Përbashkët, ku të dy palët do identifikojnë dhe eksplorojnë hapësira të reja bashkëpunimi, si dhe do të mbështesin e nxisin lidhjet mes komuniteteve të biznesit. Meta u prit edhe nga Presidenti dhe Kryeministri kroat, si dhe rezervoi një takim me komunitetin shqiptar në Kroaci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›