E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kushtet e mia për Berishën

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një interviste në emisionin Opinion në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu, komentoi ftesën e Kryeministrit Berisha për një qeverisje të gjerë, programin që LSI do të mbështesë në këtë qeveri por dhe marrëdhëniet e tij me Edi Ramën.Cili ka qenë pazari që keni bërë me zotin Sali Berisha? Çfarë ju ka propozuar zoti Berisha?
S’ka pasur asnjë lloj pazari dhe s’ka pasur asnjë lloj bisedimi apo negociate.
Përse jeni afruar atëherë pa kushte, sepse kjo është dhe një nga kritikat?
Absolutisht kushti është përmendur qartë, që kjo të jetë një qeveri e integrimit të vendit, të përmbushë të gjitha reformat që kanë qenë prioritetet e programit tonë, dhe pa asnjë diskutim ne hymë në qeveri për të çuar përpara, pa asnjë diskutim një cilësi tjetër, shpejtësi tjetër dhe konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, reformat që kërkon integrimi evropian i Shqipërisë.
Ju s’keni bërë asnjë bisedë me zotin Berisha?
Jo jo asnjë.
Ju nuk keni kërkuar asgjë për veten. Ku e shihni ju veten në këtë qeveri?
Nuk ka asnjë rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi programi i koalicionit dhe ka shumë rëndësi që prioritet kryesore të Planit tonë për Veprim të jenë të përfshira në këtë program. Kjo është e rëndësishme.
A mund ta kondiciononit ju zotin Berisha, që ju t’i jepnit këto vota me kusht që ai të mos ishte Kryeministër?
Nuk mendoj se do të ishte serioze që të hynim në situata jo realiste. Duhet të kemi parasysh se vetë raporti i ndërtimit të këtij koalicioni është i tillë, ku pa asnjë diskutim Kryeministri i takon PD-së. Nuk mundet të hyhet në bisedime për një koalicion, që duhet të qëndrojë me stabilitet në katër vitet e ardhshme, duke filluar me diskutime të tilla që krijojnë një frymë mosbesimi dhe konflikti që nuk ndihmojnë pikërisht për atë mirëbesim që duhet vendosur dhe që do të vendoset, jam i bindur me sakrifica nga të dyja palët, sepse rreth e qark, nuk flas për qytetarët, sepse ata duan qetësi dhe stabilitet, megjithëse kishte dëshira të ndryshme për numra deputetësh që partitë kërkonin. Kjo histori mbaroi dhe rezultati i zgjedhjeve është ky që dimë.
Për sa kohë mbaroi zoti Meta. Ka shumë që venë bast se ju dhe zoti Berisha nuk do funksiononi në qeverisje?
Absolutisht. Unë jam i bindur se ky koalicion do të funksionojë sepse e kërkon vetë situata ku ndodhet vendi, e kërkojnë aspiratat e Shqipërisë për të kapur trenin e fundit për në Evropë.
Mbi ç’baza do të jetë ky koalicion. Si do përfaqësohet LSI-ja?
Kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Padyshim në rast se ne nuk biem dakord, ne nuk kemi për të firmosur një marrëveshje. Por unë besoj se edhe zoti Berisha kur ndërmori këtë hap shumë të rëndësishëm dhe publik, dhe unë bëra një përgjigje të tillë, kemi marrë një përgjegjësi të tillë para të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Pse besoni se kjo marrëdhënie do funksionojë?
Sepse askush nuk do kishte interes që kjo të dështonte. Nëqoftëse zoti Berisha këtë do ta shikonte si një veprim taktik për të kaluar një situatë, do të bënte një gabim shumë të rëndë dhe do të merrte një përgjegjësi shumë të madhe.
Si do ndahet qeveria?
Kjo nuk është fare e rëndësishme për mua. Unë pres të marr mandatin nesër nga konventa, për të nisur negociatat për koalicionin e ri.
Ju keni premtuar bisedime transparente dhe keni thënë se s’do jenë si ato të 21 prillit. Çdo të thotë transparente?
Sepse çdo gjë do të jetë publike, se cili do jetë programi që ne do të zbatojmë.
Cilat janë pikat e programit tuaj?
Çështjet kryesore për ne janë ato që janë të përmbledhura në Planin tonë për Veprim që në pak fjalë janë; një program që fokusohet te punësimi, që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë dhe vërejtjet ndaj qeverisjes së deritanishme me konsolidimin e pavarësisë së gjyqësorit, sepse është shumë e rëndësishme që ne të japim mesazhe të respektimit të institucioneve demokratike, sa i takon pavarësisë së gjyqësorit, dhe pa asnjë diskutim do të jetë reforma zgjedhore, mbi bazën e rekomandimeve që do të vijnë nga misioni i OSBE-ODIHR që do bëjë raportin përfundimtar, dhe shumë elementë të tjerë që do thosha se përmbushen me plotësimin e detyrimeve për integrimin e vendit në BE.
Kështu duken platforma shumë të bukura, por a do të funksionojë?
Për njerëzit ka rëndësi që vendi të ketë stabilitet, qeveria e ardhshme të merret seriozisht me situatën ekonomike, sepse janë nënvleftësuar nga qeveria aktuale pasojat e krizës ekonomike dhe pa asnjë diskutim të përmbushen ato detyrime sepse njerëzit mezi po presim liberalizimin e vizave me BE-në. 
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja ndër vite me Edi Ramën?
Kjo besoj se nuk i intereson shumë shqiptarëve. Ajo që është thelbësore, për të kuptuar ata që na dëgjojnë dallimin tonë si politikan dhe si njerëz, është se unë i jam gjendur gjithnjë Edi Ramës në momentet më të vështira të tij.
Cilat kanë qenë këto?
Ka qenë një moment kur zoti Nano kishte idenë se ai duhej të ikte nga Ministri i Kulturës, madje kam bërë dhe veprime arrogante, siç ishte nxjerrja nga greva e urisë e artistëve për shkak të Edi Ramës.
Jeni penduar për këtë veprim?
Po jam penduar. Po kështu ka pasur edhe shumë raste të tjera edhe për Bashkinë e Tiranës për herën e parë. Po kështu dhe në vitin 2007 ka qenë një moment tepër delikat, kur raportet e tij me Berishën ishin shumë të acaruara dhe zoti Berisha kërkonte të merrte Bashkinë e Tiranës, unë iu gjeta në krah duke shtyrë zgjedhjet për një certifikatë që edhe sot nuk e di se çfarë vlere kishte dhe që zoti Rama e kërkonte me patjetër. I jam gjetur në krah dhe në një moment shumë depresiv të tij, kur u publikuan disa foto të jetës së tij intime dhe ai kaloi në depresion dhe i dhashë kurajo.
Si në depresion?
Po ai donte të linte garën dhe unë i dhashë kurajo për ta kaluar këtë moment. Gjithnjë kam qenë shumë luajal me të, pavarësisht nga paqëndrueshmëria e tij jo vetëm në raporte politike por dhe shoqërore apo njerëzore. Për fat të keq, zoti Rama më detyroi të hyja dhe në një grevë urie për votën e lirë të të majtëve dhe të gjithë shqiptarëve.
Që ju ia çuat tani Sali Berishës?
Absolutisht, ajo është për të gjithë shqiptarët.
Çfarë pazari ju ka detyruar t’i bashkoheni Sali Berishës, që ka qenë për 20 vjet armiku më i madh i së majtës?
Pazari më i turpshëm që është bërë në këto 18 vjet ka qenë ai i 21 prillit, sepse është bërë pa asnjë takim publik, pa asnjë marrëveshje publike dhe ka dëmtuar të gjitha kollonat e një shteti demokratik. Në rastin tonë kemi të bëjmë me një marrëveshje të detyruar. Më vjen keq që gjuha e politikës përfundoi këtu, te fjala tradhti. Cilët kemi tradhtuar? Cilat zemra po i dhimbsen Edi Ramës. Po Bora, vajza ime që ai e ka mbajtur në prehër, pse nuk iu dhimbs kur unë hyra në grevë urie bashkë me kolegët e mi deputetë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›