Paloka: Ministrat përgjegjës për humbjen e 23 qershorit

Deputeti demokrat, Edi Paloka analizon humbjen elektorale të 23 qershorit, duke renditur disa arsye si shkaktarë të saj nga arroganca e ministrave, që siç thotë ai ishin shpërfillës edhe ndaj deputetëve, koalicioni me LSI dhe listat e kandidatëve
Kritikat për mazhorancën e re/Premtimet e së majtës rezultuan fasadë elektorale dhe jo projekte konkrete për qytetarët
Premtimet e së majtës ende pa ardhur në pushtet qeveria e re, rezultuan fasadë elektorale dhe jo projekte konkrete për qytetarët. Një prej zërave më të rëndësishëm në Partinë Demokratike, deputeti Edi Paloka thotë se këto po faktohen çdo ditë, duke filluar nga iniciativa për punësim nga selia e PS-së, kur ishte vetë PS që akuzonte qeverinë e djathtë për administratë të mbushur me militantë. Më tej, Paloka thotë se tashmë po faktohen si të pamundura edhe premtimet për taksën apo shërbimin shëndetësor falas që ishin karta për rilindjen e PS-së.
Iniciativa e kryeministrit të ardhshëm për prishjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare të jugut, për Edi Palokën është një farsë, pasi sipas tij bashkitë në këto zona janë drejtuar nga e majta dhe lejet e ndërtimit janë dhënë nga vetë krerët e këtyre njësive vendore. Paloka komenton edhe deputetin e zgjedhur tashmë në Vlorë, Koço Kokëdhima.
Po e djathta përse humbi? Sipas Palokës ka një sërë arsyes që fillojnë nga qëndrimi në kabinetin qeveritar të ministrave për 8 vjet, të cilët e shkëputën së bashku më drejtorët e emëruar prej tyre vëmendjen nga qytetarët dhe militantët. Madje sipas tij, ministrat arritën të bëheshin arrogantë edhe me deputetët, çka s’mund të krahasohej me qytetarët. Një tjetër ndëshkim për të djathtën erdhi për shkak të koalicionit me LSI-në në mandatin e dytë, ndërsa nuk përjashton si shkak për humbjen edhe listat e kandidatëve.
Deputeti demokrat vlerësoi pozitivisht fushatën e dy kandidatëve për kryetar të PD-së si dhe platformat e tyre, ndërsa mirëpret idenë e partive të koalicionit që me zgjedhjen e lidershipit të ri, me fillimin e sesionit të ri parlamentar, partitë e djathta të krijojnë një formacion stabël të së djathtës shqiptare.