E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “LSI-ja, plan konkret për nxjerrjen e biznesit fason nga kriza”



Shaban Sulçe

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën e vështirë që po kalon biznesi në vend, situatë e konfirmuar edhe pas lajmit në të cilin bëhej fjalë se 50 kompani të biznesit fason kanë ndërprerë aktivitetin e tyre si rezultat i thellimit të krizës ekonomike në Shqipëri.
Kreu i LSI-së tha se asnjëherë si më parë po bien fort kambanat e alarmit për rritjen e papunësisë në vend si rezultat i krizës ekonomike globale dhe si rezultat i keqqeverisjes dhe mungesës së marrjes së masave për përballimin e kësaj krize. Meta deklaroi në një konference për shtyp, se LSI-ja ka një plan konkret për shpëtimin e bizneseve fason nga falimentimi. Sipas tij, ky plan parashikon subvencionimin në masën 50% të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit deri në dhjetor të vitit 2011 si dhe heqjen e tatim-fitimit për këto biznese deri në dhjetor të vitit 2010.

Kriza
Meta akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se nuk po marrin asnjë masë për të shmangur krizën në vend dhe për të shmangur rritjen e papunësisë dhe mbylljen e bizneseve të fasonëve. Kreu I LSI-së tha se si rezultat i kësaj situate dhjetëra mijëra familje në vend po ngelen në mëshirë të fatit, ndërkohë që akuzoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë për paaftësi në mos hartimin e një plani qeveritar për përballimin e krizës. “Vendi është në krizë, papunësia po rritet, sepse bizneset dhe kompani të ndryshme po mbyllen dhe varfëria thellohet në familjet shqiptare dhe në shoqërinë tonë. Ende nuk ka asnjë plan qeveritar, për të përballuar këtë krizë dhe për të ndihmuar bizneset që të mos falimentojnë, apo të shkurtojnë vendet e punës edhe pse LSI prej 3 muajsh ka kërkuar nga Kryeministri aktual që të paraqesë një plan të tillë në parlament”, - tha kreu i LSI-së.

Plani
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Meta ka shpalosur planin e LSI-së, i cili, sipas tij, do të jetë një plan që do të shpëtojë bizneset prodhuese nga kriza si dhe do të shpëtojë qindra dhe mijëra vende pune. Sipas Metës ky plan konsiston në subvencionimin 50% të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit deri në fund të vitit 2011, në heqjen e tatim-fitimit për këto biznese deri në fund të vitit 2010 si dhe në rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së për bizneset që janë në vështirësi financiare. “Plani i LSI-së për të përkrahur biznesin e fasonëve konsiston në subvencionimin në masën 50%, të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit deri në dhjetor të vitit 2011 dhe njëkohësisht për heqjen e tatim-fitimit për këto biznese, deri në dhjetor të vitit 2010. Njëkohësisht ky plan konsiston në disa masa te tjera që kanë të bëjnë me rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së për këto lloj biznesesh, pasi ato janë në vështirësi financiare dhe së dyti në ndërmjetësimin e Qeverisë me bankat për të ristrukturuar kreditë apo borxhet e tyre, në mënyrë që këto aktivitete të funksionojnë që të ruhen nivelet aktuale të punësimit. Po në mes të këtyre lehtësirave të inkurajohet edhe zgjerimi i këtyre aktiviteteve që në një kohë të shkurtër të punësojmë shumë më tepër shqiptarë e sidomos shqiptare, pasi dihet numri më i madh i të punësuarve në këto lloj aktivitetesh janë vajza dhe gra”, - tha kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›