E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS-ja: Qeveria ka dështuar për uljen e papunësisë



Partia Demokracia Sociale akuzoi dje qeverinë se ka dështuar në programet e saj për nxitjen e punësimit. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari, deklaroi se shkalla e papunësisë në vend dhe rreziku i mbylljes së biznese për shkak të mungesës së aksionit qeveritar, janë elemente domethënëse që shtojnë varfërinë në Shqipëri. Duçkallari foli edhe për kushtet e punës së minatorëve. “PDS-ja konstaton se sot në Shqipëri, kushtet e punës nuk respektohen as në standardet e tyre më minimale dhe shteti hesht, duke mos pasur forcën të reagojë në mbrojtje të mijëra e mijëra njerëzve, të cilët rrezikojnë edhe jetën për të fituar bukën e gojës”, - tha ai. Sipas Duçkallarit qeveria nuk ka pasur guximin të reagojë dhe të shtrëngojë kompanitë që shfrytëzojnë minierat, për të shtuar sigurinë në punë.

PS: Është rritur papunësia dhe varfëria, PD-ja e mohon

Kryetari i PS-së për Tiranën, Besnik Baraj, tha se ndryshe nga sa deklaron kryeministri Berisha, shqiptarët sot janë më të varfër dhe më të papunë se 4 vjet më parë. “Sot shqiptarët janë më të varfër e më të papunë se 4 vjet më parë, sepse blejnë shumë më pak se 4 vjet më parë. Letra e aplikimit në BE nuk mund të jetë gjethja e fikut elektoral të Sali Berishës, si dhe nuk mund ta mbulojë dot hendekun e madh të varfërisë dhe papunësisë që ndan shqiptarët nga Europa, ku Partia Socialiste do t'i integrojë me mandatin qeverisës të 28 qershorit përmes politikës së re të ndryshimit”, - tha Baraj. Ndërkohë, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha se kreu i PS-së, Edi Rama, nuk mund të hedhë baltë mbi çdo sukses të qeverisë, pasi në sajë të reformave, mbi 80 mijë shqiptarë janë punësuar gjatë këtyre tre viteve të fundit, 200 mijë shqiptarë të tjerë kanë dalë nga varfëria, dhe se janë dyfishuar pensionet dhe rrogat e mësuesve dhe infermierëve.

LSI-ja, aktivitet për 1 Majin në Vlorë

Nën simbolikën e ditës së 1 Majit, e njohur si Dita e Punëtorëve në të gjithë botën, drejtuesit e LSI-së në qarkun e Vlorës së bashku me të rinjtë kanë hapur simbolikisht 30 vende të reja pune për pastrimin e qytetit të Vlorës. Kandidati për deputet i LSI-së në Vlorë, Shkëlqim Selami, se bashku me zv.sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Besjan Pesha, të shoqëruar nga dhjetëra të rinj kanë takuar dje dhjetëra qytetarë të papunë, të cilët e kalojnë ditën e tyre në pritje të një oferte për punë në sheshin e ashtuquajtur OMONIA në Vlorë. Gjatë bisedës me ta, Selami, pasi u solidarizua me hallet dhe problemet e tyre, tha se LSI-ja ka një plan konkret për të nxitur punësimin e shqiptarëve dhe për të ulur varfërinë në vend. “Ne si LSI kemi një plan shumë të mirë për punësimin e shqiptarëve, plan i cili do të vihet në veprim mbas zgjedhjeve të 28 qershorit, por sigurisht për t’ia arritur kësaj ne na duhet edhe mbështetja juaj dhe e gjithë qytetarëve”, - tha Selami.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›