Rama prezanton në Bulqizë programin e PS-së për minatorët
Kreu i Partisë Socialiste deklaroi nga Bulqiza se nëse e majta do të fitojë zgjedhjet e qershorit, qeveria e re do të miratojë statusin e minatorit dhe të punëtorëve që punojnë në kushte të vështira pune. Rama u shpreh se e gjithë shoqëria shqiptare e kërkon këtë status, si një akt ndjese për të gjithë ata fatkeq që lanë jetën për të siguruar bukën e fëmijëve të tyre. Ai premtoi se pas ardhjes në pushtet e majta do të ulë edhe moshën e pensionit. “Politikanët, po të duan, le ta bëjnë moshën e pensionit të tyre 80 vjeç, ndërkohë që për minatorët ne do ta frenojmë moshën e pensionit qysh në janarin e vitit 2010”. Rama tha se pas zgjedhjeve të qershorit, qeveria e majtë do të rrisë sigurinë dhe do të përmirësohen kushtet e punës. Kreu i PS-së e akuzoi kryeministrin për indiferentizëm karshi punës së vështirë me të cilën përballen njerëzit. “Shqipëria dhe shqiptarët përballen sot me një qeveri dhe me një kryeministër që janë tërësisht indiferent karshi punës së njerëzve të ndershëm, karshi vuajtjeve të njerëzve të punës dhe karshi pasigurisë që kanë ata që e fitojnë bukën me punë të ndershme”, - u shpreh Rama. Sipas tij, më shumë se asnjëherë tjetër shqiptarët e shqiptaret kanë nevojë për një qeveri që të jetë në krahun e tyre, për një shtet që t’i mbrojë dhe për një politikë të re që t’i nxisë në rrugën e mirëqenies, sepse nuk jetojmë matanë diellit, por jetojmë në mes të Europës. Duke iu referuar sloganit të maxhorancës, Rama tha se ky slogan është shumë larg realitetit të familjeve shqiptare në mbarë vendin dhe aq më tepër në Bulqizë. “E vetmja gjë që ndryshon këtu në Bulqizë është numri i jetëve të minatorëve të vdekur nga viti në vit”, - tha kreu socialist. Rama u shpreh se pas ardhjes në pushtet të PS-së nuk do të ketë më jetë të humbura.
Luis Tanushi
2 Maj 2009