Ashton: Po e ndjekim situatën nga afër
TIRANË Komisionerja e lartë për politikën e jashtme në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, deklaroi se po monitoron nga afër situatën politike në Shqipëri. Gjatë konferencës për shtyp mbi Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, baronesha Ashton u shpreh se “ne vazhdojmë të shohim atë çfarë po ndodh në Shqipëri”. Më herët ajo kishte folur për problemet që po hasen në vendet e Lindjes së Mesme dhe ato të Afrikës së Veriut. Diplomatët europianë pritej të diskutonin edhe për zgjedhjet në Shqipëri, falë kërkesës së disa vendeve anëtare këtë mëngjes. Por deri në mbrëmje, 27 ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën të diskutonin mbi zgjedhjet lokale. Ndjeshmëria e krijuar nga situata pas-zgjedhore në vend bëri që Këshilli i BE-së të mos miratonte marrëveshjen-kuadër për përfshirjen e Shqipërisë në operacionet e menaxhimit të krizave. Burime diplomatike nga ky takim rrëfyen për TCH se, “nuk do të kishte kuptim që vendi të operonte për menaxhimin e krizave tek të tjerët me këtë situatë politike në Shqipëri”.