E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI tregon transparencë e vendosmëri

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim paraelektoral me simpatizantë në Urën Vajgurore. Duke shprehur sigurinë për fitore të LSI-së në Qarkun e Beratit, ai paraqiti kandidatin për deputet në Urë Vajgurore, Mustafa Muçi. Meta akuzoi dy drejtuesit e partive të vjetra, që sipas tij, me listat e mbyllura ata kanë eliminuar zonat elektorale nga sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe i kanë futur në rresht deputetët si nëpunës të kryetarëve të partisë. Ndryshe nga këto Parti, tha Meta, LSI-ja po del në çdo qark dhe para çdo komuniteti me një ekip kandidatësh, por njëkohësisht edhe me emra kandidatësh që marrin përgjegjësi para komuniteteve të caktuara. Meta tha se, puna dhe sakrifica juaj do të shpërblehet pas 28 qershorit kur Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë garanci për të gjithë në qeverisjen e ardhshme. Teksa foli për Kodin Zgjedhor, kreu i LSI-së u shpreh se, me sistemin zgjedhor kjo parti është një forcë jashtëzakonisht e favorizuar, ashtu sikurse është e favorizuar e majta dhe opozita, sepse në thelb ky është një sistem proporcional. "Dhe pa asnjë diskutim Sali Berisha dhe e djathta e tij do të kalojnë në opozitë më 28 qershor me votën tuaj", u shpreh Meta. Ndaj theksoi ai, ne jemi të sigurt se më 28 qershor me ardhjen në pushtet të forcës sonë politike, do të miratojmë së pari projektligjin për moshën e tretë në mënyrë që t‘i vijmë në ndihmë 380 mijë pensionistëve që gjenden sot pa përkrahjen e shtetit në të gjithë Shqipërinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›