E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Largimi i Ramës gjest jo demokratik

Autori i Lajmit: Redaksia
Konflikti mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është zhvendosur në Pragë. Krerët e këtyre dy partive përkatësisht Edi Rama dhe Ilir Meta nuk e kanë fshehur konfliktin mes tyre as gjatë takimit të Kongresit të Partisë Socialiste Evropiane. Krerët e dy partive kanë mbajtur një fjalim atje por sipas Metës, kryesociasliti është larguar nga konferenca pikërisht në kohën kur ai po fliste. Meta ka deklaruar se kryesia e Kongresit i dha të drejtën e fjalës kryetarit të PS Edi Rama që të fliste i pari dhe menjëherë pas tij edhe atij në cilësinë e kryetarit të LSI. Zëvendëskryeministri pohoi se ka dëgjuar deri në fund fjalimin e Ramës dhe pas tij ai ka marrë fjalën. Por në kot momente, në mënyrë demonstrative, sikundër thotë Meta, kryetari i PS është ngritur dhe ka dalë nga salla duke shpërfillur fjalimin e kryetarit të LSI. Ky akt për Metën është konsideruar si i gabuar dhe në kontrast me respektin që ai vetë tregoi në kongres duke qëndruar atje deri në përfundim të fjalimit të Ramës. “Sigurisht që unë e dëgjova me shumë vëmendje zotin Rama, pavarësisht se pak a shumë qëndrimet e tij ishin po ato që mban zakonisht në Tiranë dhe në politikën tonë të brendshme, kuptohet pa argumentet e nevojshme për të justifikuar pozicionin e bojkotit edhe njëkohësisht pa vullnetin e duhur për një qëndrim konstruktiv, në mënyrë që opozita të luaj rolin që i takon në proceset demokratike në vend dhe sidomos integrimit evropian të vendit. Ishte për të ardhur keq që gjesti jo tolerant dhe jo demokratik i tij, i largimit nga ky takim pune në momentin që unë, sikurse u ftova, fillova të mbaj fjalën time dhe të ekspozojë edhe situatën në Shqipëri, por edhe politikën e Shqipërisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 08/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›