E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Lë imunitetin për t’u hetuar

Ai bëri të ditur se i kishte dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku i bënte të ditur lënien e imunitetit.

“Dua t’iu bëj të ditur opinionit publik, letrën drejtuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe në dobi të transparencës ndaj çdo akuze, ju njoftoj zyrtarisht lënien menjëherë dhe përgjithmonë të imunitetit tim për të forcuar shtetin ligjor”, theksoi Meta. Ai shtoi se videoja ishte një përgjim i neveritshëm ndaj pozicionit të tij. “Sikurse jeni njohur, ndaj një përgjimi të neveritshëm ndaj pozicionit tim kur kam qenë ministër i Jashtëm, pikërisht në zyrën e ministrit. Bëj të qartë se ky përgjim i pështirë është kryekëput një blof politik dhe moral, i cili është në kuadër të shantazheve nga krimi i organizuar ndaj personit tim”, ka thënë Meta.

Ai kërkoi nga prokuroria që të nisë hetimin për të zbardhur këtë rast, që sipas tij, është një standard i shëmtuar i Edi Ramës që po tenton ta përfshijë në politikë. “Dua t’ju bëj të qartë se ky përgjim, i pështirë si vetë organizatorët dhe trumpetuesit e tij, është kryekëput një blof i shëmtuar politik dhe moral, që është bërë në kuadër të shantazheve nga krimi i organizuar ndaj personit tim për shkak të detyrave të mija”, tha Meta.

Gjatë konferencës, Meta ka sqaruar edhe pozicionin e tij në atë kohë për ndërhyrjen në lidhje me tenderin e kompanisë që përmendet. “Ky përgjim vërtitet rreth një ndërhyrjeje të realizuar gjoja nga personi im kur kam qenë ministër i Jashtëm për interes të një kompanie të caktuar lidhur me një tender për dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushica. Ky tender është hapur në këtë Ministri që më 30 prill 2008, ku kanë marrë pjesë 3 bashkime shoqërish të ndryshme. Kjo procedurë tenderimi për 2 vjet ka qenë e bllokuar për arsye se komisioni i ekonomisë kishte bllokuar një nga klientët për synime interesi. Personi në fjalë, që në përgjim konstatohet si Gimi, pasi ka vërejtur zvarritje dhe mosprotokollim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit është drejtuar tek unë, si zëvendëskryeministër dhe kryetar i LSI. Unë këtë problem ia kam propozuar ish-ministrit, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Apelit”, sqaroi Meta.

Më tej, ai tha se provat e publikuara do të depozitohen në prokurori. “Provat do t’ia vë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, që do t’i kërkoj hetim për këtë video të montuar që është bërë jo vetëm për të më denigruar, por për të më bërë shantazhe dhe për të më ulur mua në pozitën e Edi Ramës dhe krimit të organizuar që ai drejton. Kam vënë në dijeni edhe kryeministrin për shantazhet që më janë bërë përmes gjoja një përgjimi për të bashkëpunuar me organizatorët e kësaj afere mafioze”, vijoi numri dy i qeverisë. Lidhur me shumën e përfolur prej 700 mijë, që më vonë u tha se bëhej fjalë për 700 mijë euro, Meta tha se nuk kishte koment për këtë interpretim. “Nuk kam asnjë koment për interpretimin që u bëhet buzëve të mia, përkthimit të fjalëve nga shqip në shqip, apo fjalëve të çimkës”, ka nënvizuar Meta.

/S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-12 10:10
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›