Kukës, vetëm municione të lehta në depo
Që nga viti 2006, të tria rrethet e Qarkut të Kukësit janë pastruar nga municionet e rënda, ndërsa kanë mbetur vetëm depot e armatimit të lehtë. Kështu mësohet nga burime zyrtare të Komandës së Mbrojtjes Logjistike në Kukës, të cilat sqarojnë se zona e Kukësit ka pasur një sasi kolosale municioni dhe lëndësh plasëse, por situata ka ndryshuar që me nisjen e reformimit të ushtrisë. Komandanti i njësisë, Fatmir Lokaj, tregon se prej shumë vitesh ka vazhduar bartja e armatimit të rëndë, si topa të kalibrit të madh, tanke etj., drejt qendrës. "Viti 2006 shënon fundin e tërheqjes së arsenalit të madh të municioneve dhe lëndëve shpërthyese nga depot e panumërta të Kukësit dhe tani kemi vetëm disa depo me armatim dhe municion të lehtë dhe nuk paraqet ndonjë rrezik për popullatën, pasi ruhen nga Komanda e Mbrojtjes Logjistike", tha Lokaj.