E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i vogël, strategji shpëtimi nga falimenti

23/12/2009  Rreth 50% e biznesit nuk vendos kasat regjistruese, favorizohen nga pushtetarët
“Të pajisen të gjithë me kasa dhe të detyrohen institucionet t’i licencojnë”
KORÇE- Tashmë bizneset e vogla të qarkut Korçë, veçanërisht subjektet që ushtrojnë një aktivitet të ndershëm po ndihen më të kërcënuara se kurrë ndonjëherë tjetër për falimentim. Në kërcënim të hapur ndaj tyre janë kthyer kasat elektronike regjistruese, të cilat tashmë duhet të jenë të pranishme te çdo subjekt. Shqetësimi qëndron te realiteti i hidhur i biznesit të vogël në Korçë, ku pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të qëndrojnë ende të palicencuar, ndërsa institucionet përgjegjëse ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për zgjidhjen e këtij problemi.
Masat e biznesit
Të gjendur në këto kushte, Shoqata e biznesit të vogël në Korçë ka dhënë alarmin mes anëtarëve të saj, e cila kërkon të gjejë rrugët e zgjidhjes se si mund të dilet nga kjo situatë, fill pas krijimit të kushteve të tjera. Për këtë arsye, ditën e martë kryesia e kësaj shoqate përpunoi strategjinë e saj dhe mjetet që do të përdoren për t’iu kundërvënë me efikasitet të gjitha problemeve, më të cilët po përballet ky biznes. Burime pranë kryesisë së shoqatës në fjalë, bënë të ditur se biznesi i vogël ndodhet përballë disa problemeve: si do të zgjidhet vendosja e kasave regjistruese te bizneset që janë të palicencuara; cila është aftësia e pronarëve të biznesit të vogël për përdorimin e kasave regjistruese, si mund të trajnohen këto subjekte; dhe cilat do të jenë rrugët demokratike për të detyruar institucionet përkatëse që ato të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre. Sipas të gjitha gjasave, duket se bizneset e vogla të Korçës do të dalin sërish në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre. Sipas burimeve në fjalë, në kushtet e sapokrijuara, biznesi i vogël ndodhet në situatën me të vështirë, pasi do t’i duhet të përballet çdo ditë me informalitetin, me subjektet e pandershme, me miqtë dhe shokët e tyre, të cilët favorizojnë këtë lloj biznesi, që tregon qartë për një abuzim të pastër. Në lidhje me këtë shqetësim burimet u shprehën se tashmë situata po rëndohet, sepse më shumë se 50% e biznesit është i palicencuar, ndërsa në biznese të veçantë ky informalitet shkon deri në 80%. Një gjë është e sigurt: kjo kategori biznesesh do të vazhdojë të ushtrojnë aktivitetin e tij pa i vendosur kasat elektronike. Është kjo arsyeja që tashmë çdo subjekt i ndershëm po përfshihet jo vetëm nga shqetësimi, por edhe nga ndjesa e padrejtësisë që ekziston. Për këtë arsye, kryesia e shoqatës vendosi të përdorë të gjitha mjetet demokratike, duke përfshirë këtu edhe protestat, të cilat do të vazhdojnë deri sa edhe biznesi i fundit të jetë i pajisur me licencë. Nuk mundet, u shprehën burimet që gjysma e bizneseve të vogla të punojë për gjysmën tjetër dhe në të njëjtën kohë, gjysma e ndershme të jetë çdo ditë e konkurruar prej gjysmës tjetër, aq më shumë tashmë, kur po vendosen kasat elektronike, përfunduan burimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›