E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrin i plagosur në spital, u godit gjatë një vjedhjeje

23/12/2009  Ka hyrë në një banesë në Lushnjë për të vjedhur, u qëllua nga familjarët
Pas mjekimit, 19-vjeçari është dërguar në komisariat për t’u përballur me akuzën
BERAT- Ka përfunduar në spital i plagosur me armë zjarri, ndërkohë që dyshohet se është qëlluar në tentativë për të vjedhur një banesë në qytetin e Lushnjës. Burime të repartit të kirurgjisë pranë spitalit të Beratit bënë me dije se gjatë mesnatës së mbrëmshme ka mbërritur në këtë repart i plagosur me armë zjarri 19-vjeçari A. Muka, banor i lagjes “Muzakaj” në këtë qytet. Sipas të njëjtave burime, 19-vjeçari u paraqit me një plagë në këmbë shkaktuar me armë zjarri, tip çifte. I riu nga Berati dyshohet se mbrëmjen e djeshme ka tentuar të vjedhë në një banesë në Lushnjë dhe në kohën që është pikasur nga familjarët është qëlluar prej tyre me çifte. Muka së bashku me një shokun e tij ka hyrë në një banesë në Lushnjë për të vjedhur disa pula deti, ndërsa sapo është parë nga familjarët është qëlluar me armë gjahu. Për mbërritjen e 19-vjeçarit të plagosur në spital është njoftuar më pas organi blu në Berat. Ekspertët e policisë mësohet se mbërritën menjëherë në spital ku dhe morën në pyetje Mukën. Ky i fundit ka deklaruar fillimisht se kish ngelur i plagosur vetë, ndërsa pastronte armën e zjarrit, por hetimet e policisë zbardhën të vërtetën e ngjarjes. Pas marrjes së ndihmës mjekësore i riu u dërgua mesditën e djeshme në organin blu të Lushnjës, ku mësohet se do të përballet me akuzën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›