E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Ndërkombëtarët kanë vërtetuar se akuzat për trafik organesh janë të pavërteta”



Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka hedhur poshtë çdo akuzë që vjen nga qarqe të ndryshme për kryerjen e trafikut të organeve nga Shqipëria gjatës luftës në Kosovë. Ai u shpreh se vetë ndërkombëtarët kanë bërë verifikimet e duhura dhe kanë dalë në përfundimin se këto akuza janë të pavërteta. “Përfitoj nga pyetja juaj për të rikujtuar se lidhur me këtë çështje, qeveria e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë dhe pa asnjë rezervë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe me grupin e posaçëm hetimor që ka vizituar Shqipërinë në vitin 2003, pikërisht për të hetuar këto pretendime, të cilat rezultuan të pavërteta. Megjithatë, dëshiroj të ritheksoj gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në zgjidhjen e kësaj çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Këshillin e Europës, në mënyrë që t’u jepet një përgjigje përfundimtare këtyre pretendimeve, që do të cilësoja si të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore. Qeveria e Shqipërisë është e hapur dhe e interesuar që ta çojë deri në fund këtë proces, duke mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime të tilla”, - është shprehur numri dy i qeverisë.

Topalli merr pjesë në Samitin për të drejtat e grave në Turqi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë dje në Samitin ndërkombëtar për të drejtat e grave në Turqi, si e ftuar e veçantë e kryeministrit Erdogan. Samiti “Të drejtat e gruas bashkojnë Lindjen dhe Perëndimin” mblodhi gra lidere nga e gjithë bota, deputete e senatore, nga Spanja, Danimarka, Pakistani, Suedia, rajoni i Ballkanit, Lindjes së Vogël e të Mesme, për të shkëmbyer eksperiencat e tyre në përballje me mendësitë, traditat, paragjykimet, sfidat. Por, sado të ndryshme në kultura dhe qytetërimet e tyre ato ndajnë sfida globale në një botë që, siç tha kryeministri turk, Erdogan, megjithëse po bëhet çdo ditë më e vogël, çështjet e barazisë gjinore mbeten çështje të mëdha të demokracisë dhe parësore në axhendën politike të të gjitha qeverive. Në fjalën e saj në këtë samit, kryetarja e Kuvendit tha: “Nga tryezat në familje dhe deri në tryezat e vendimmarrjes duhet të luftojmë për të garantuar çfarë na takon, për zotësi apo inteligjencë, për aftësi apo potencial të dhënë nga Perëndia; në çdo çast duhet të përpiqemi të sfidojmë kohën. Është sfida jonë e përditshme për demokraci në shtëpi, në treg dhe në shtet, është sfida jonë e përditshme për të mos qenë një shërbëtore në familje, për të mos qenë një shërbëtore e shoqërive tona, që na lidh në gratë Lindje-Perëndim”, - është shprehur Topalli.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›