Milo: “Kriza politike, shenjat për zgjidhjen e situatës nuk janë premtuese”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, shprehet skeptik për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Milo u shpreh se shenjat nuk janë shumë premtuese. Ai tha se deklaratat e Berishës dhe të bashkëpunëtorëve të tij dëshmojnë se seanca e 18 marsit do të jetë një seancë debati e ashpër, e mbushur plot akuza dhe kundërakuza, një seancë e gjatë dhe pa rezultat konkret. “Nëse ndodh kështu, atëherë do të ketë një riciklim të tensionit politik dhe të krizës. PS-ja vështirë se do të mund të qëndrojë në këtë parlament për t’u kthyer në një dekor fals të opozitarizmit që i duhet maxhorancës për të qeverisur e qetë dhe pa probleme”, - u shpreh Milo. Përsa i përket hetimit të zgjedhjeve, Milo nënvizoi se komisioni nuk duhet të kërkojë transparencë vetëm për ato qarqe që kërkon PS-ja, por në të gjitha qarqet, pasi ka manipulime.
Si do ta vlerësonit hyrjen e opozitës në Kuvend?
Hyrja e opozitës në Parlament ka qenë e sforcuar, jo e natyrshme, për shkak se u detyrua të kryejë një veprim që mendoj se tani për tani është i përkohshëm në trysninë e aktorëve ndërkombëtarë. Opozita, sigurisht që vendin e ka në Parlament, duhet të ushtrojë detyrën e saj dhe të bëhet një pasqyrë ku maxhoranca duhet të shikojë fytyrën e vet. Në kuptimin e kritikave që duhet të adresojë për çdo projektligj dhe për çdo vendim që merret në Kuvendin e Shqipërisë. Ky standard i veprimtarisë opozitare bëhet në parlamente që kanë jetë normale demokratike dhe institucionale. Fatkeqësisht, në Shqipëri përgjithësisht jeta parlamentare gjatë këtyre 20 viteve ka qenë e ngarkuar me konflikte, të cilat shpeshherë kanë degraduar edhe në dhunë fizike. Kuvendi i Shqipërisë këtë herë është deformuar pa e nisur mirë punën, për shkak se nuk pasqyron realitetin politik në vend dhe, si rezultat i një sistemi zgjedhor, u përjashtuan një numër forcash politike. Partia Socialiste nuk ka njohur plotësisht legjitimitetin e këtij parlamenti dhe ka një numër kontestimesh, të cilat e çuan atë, së bashku me disa parti të tjera, në një numër veprimesh demokratike të protestës popullore. Nuk besoj që PS-ja, me hyrjen e saj në Parlament, të ketë harruar objektivat që i ka vënë vetes për të arritur së bashku me parti të tjera të opozitës. Unë uroj që hyrja e saj në Parlament të shënojë një fazë të re të zhvillimeve demokratike dhe të normalitetit parlamentar, por kjo do të varet nga mënyra se si do të trajtohen në datën 18 mars dy projektligjet që PS-ja ka paraqitur.
Është gjykuar drejt nga maxhoranca që dy projektvendimet e PS-së të shtyhen për diskutim në seancën parlamentare të 18 marsit?
Besoj se këtu është fjala për të respektuar edhe disa procedura të parlamentarizmit. Mua nuk më shqetëson aq shumë fakti i shpejtësisë së diskutimit, sesa i cilësisë dhe i produktit që do të vijë në seancën plenare të 18 marsit. Që do të thotë: a është e përgatitur maxhoranca që të respektojë kërkesën e opozitës, ta mbështesë atë për të bërë një transparencë të plotë dhe të pakushtëzuar të procesit zgjedhor të 28 qershorit? Më duket se shenjat nuk janë shumë premtuese. Vetë deklaratat që ka bërë kryeministri Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij pa i gjykuar mirë projektet që kanë. Këto dëshmojnë se seanca e 18 marsit do të jetë një seancë debati e ashpër, e mbushur plot akuza dhe kundërakuza, një seancë e gjatë dhe pa rezultat konkret. Nëse ndodh kështu, atëherë do të ketë një riciklim të tensionit politik dhe të krizës. PS-ja vështirë se do të mund të qëndrojë në këtë parlament për t’u kthyer në një dekor fals të opozitarizmit që i duhet maxhorancës për të qeverisur e qetë dhe pa probleme.
A keni rezerva për mënyrën e hartimit të dy drafteve të opozitës?
Ka shumë pikëpamje të shprehura nga maxhoranca për mënyrën e hartimit. Sipas tyre, ato nuk ishin në nivelin e duhur nga pikëpamja e procedurave, terminologjisë dhe kompetencës profesionale. Nuk duhet që të kapemi pas bishtit që të dalim te koka, te thelbi i problemit. Maxhoranca duhet të kuptojë mesazhin që i jepet përmes dy projektligjeve, thelbi i së cilës është transparenca. Mund të gjenden alibi të mjaftueshme për ta vonuar procesin e miratimit, por kjo nuk e ndihmon dot vetë mazhorancën, e cila është e interesuar që t’i japë fund kësaj historie të trishtueshme dhe qesharake të mjedisit politik parlamentar. Më mirë është që të marrë disa përgjegjësi për dëmtimin e procesit të qershorit, sesa të zvarritet pafundësisht dhe t’i shkaktojë kosto të tjera Shqipërisë dhe procesit të integrimit europian, duke këmbëngulur në moshapjen e kutive dhe në mosbërjen e transparencës së procesit.
Nëse opozita do t’i jepte fund bojkotit, ju do ta mbështesnit?
Ne asnjëherë nuk e kemi mbajtur peng PS-në për arsye tonat. Ne jemi shumë të përgjegjshëm që roli i Grupit Parlamentar të PS-së të kryhet vetëm në Parlament. Politikë nuk bëhet vetëm aty. Kështu që ne i kemi rolet të ndara. Rëndësi ka që ne të harmonizohemi në objektivat që kemi dhe të përcjellim mesazhe të qarta opinionit publik se çfarë duam të arrijnë, ku duam të shkojmë dhe si duam të shkojmë. Nuk na shqetëson kjo aspak, pavarësisht se mund të mos kem qenë nga ata partnerë që e kanë mbështetur me shumë optimizëm bojkotin. Përsëri mendoj se bojkoti pati një vlerë, sepse sensibilizoi jo vetëm opinion publik, por edhe partnerët ndërkombëtarë për zgjedhjet problematike që u zhvilluan në Shqipëri. Pa këtë protestë që bëri opozita, vështirë se do të ishte tërhequr vëmendja e opinionit ndërkombëtar dhe vështirë se do të ishte zhvilluar një debat kaq i madh politik brenda vendit për domosdoshmërinë e mbylljes së një kapitulli të dhunshëm dhe qesharak të zgjedhjeve shqiptare. Këtu qëndron rëndësia e debatit dhe këtu është vlera e çdo aksioni politik, që opozita duhet të ndërmarrë për të mos e lënë misionin e saj në mes të rrugës, që do të thotë të garantojë përfundimisht një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm nëpërmjet vendosjes së bazave legjislative që garantojnë një proces të tillë jo formal, por real.
Maxhoranca është shprehur se kutitë në qarqet ku opozita është e interesuar të bëjë transparent rezultatin nuk mund të hapen për shkak se janë me vendim gjykate, ndërsa është e gatshme të hapë kutitë në qarqet e tjera të vendit. Çfarë komenti keni?
Kjo është një përrallë e vjetër, të cilën e kemi dëgjuar me mijëra herë. Në fakt, është një alibi e ngritur nën sistem nga PD-ja për të mbrojtur atë rezultat që është bërë publik në favor të saj, por që këtu ka një realitet tjetër. Gjykatat, opozita i ka respektuar, ashtu sikurse edhe vendimet e saj. Maxhoranca e di shumë mirë që opozita nuk kërkon të zhbëjë vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Opozita kërkon qartë edhe saktë një transparencë të procesit zgjedhor përmes komisionit hetimor, që është një e drejtë kushtetuese e saj dhe që nuk ka të bëjë fare me vendimet e gjykatave. Komisioni hetimor parlamentar e ka të pakufizuar objektin e tij të hetimit, sepse këtë ia jep Kushtetuta. Nëse Kolegji Zgjedhor ka marrë disa vendime të caktuara dhe në bazë të atyre vendimeve është kryer mbyllja e procesit në ato qarqe, askush nuk e vë në diskutim rezultatin që ka dalë nga ky vendim i Kolegjit Zgjedhor. Ndërkohë, komisioni nuk duhet të kërkojë transparencë vetëm për ato qarqe që kërkon PS-ja, po a ka mundësi që të bëhet për të gjitha qarqet, sepse vjedhje dhe manipulime janë bërë në të gjitha qarqet.
Ju jeni shprehur që të bëhet një referendum për të forcuar kompetencat e Presidentit të Republikës?
Mungesa e besimit te mekanizmi që ka ndërtuar deri tani Kodin Zgjedhor, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 vënë në dyshim ekzistencën e mëtejshme të tij, për shkak se u provua se ato vendime u bënë për interesa të ndryshme partiake dhe çuan në rrjedhoja dramatike, qoftë për zgjedhjet, qoftë për përqendrimin e pushteteve në duart e kryeministrit, duke prishur balancën e institucioneve dhe të pushteteve në Shqipëri për të shmangur këtë lloj subjektivizmit dhe ndërhyrje të faktorëve kryesorë politikë në hartimin e dokumenteve themelore që rregullojnë jetën e një shteti. Unë kam propozuar që këto ndryshime t’u nënshtrohen referendumeve, sepse kanë një bazë të gjerë mbështetëse popullore. Qoftë sistemi zgjedhor, Kodi në pikat e tij kryesore, kompetencat e Presidentit apo të kryeministrit a të Kuvendit. Duhet të ruajmë formulën magjike të ekuilibrit të pushteteve në rast se duhet të ndërtojmë një demokraci përfundimisht të qëndrueshme dhe europiane.
9 Mars 2010