E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Ndryshimi i Rregullores, puçi i dytë institucional i PS-PD-së”



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka denoncuar marrëveshjen e radhës të dy partive të mëdha, PS e PD, për të ndryshuar Rregulloren në Kuvend. Meta tha se ndryshimi i Rregullores së Kuvendit përbën aktin e dytë të puçit institucional të PS-së dhe PD-së, pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Kreu i LSI-së u shpreh se miratimi i këtyre ndryshimeve ka për synim të denigrojë dhe gjunjëzojë Presidentin e Republikës nga drejtuesit e dy partive të vjetra, Edi Rama dhe Sali Berisha.
“Për fat të keq marrëveshja midis kryetarit të Partisë Demokratike dhe kreut aktual të Partisë Socialiste vazhdon të cenojë Kushtetutën, shtetin ligjor dhe pavarësinë e organeve kushtetuese në vend. Këtë radhë kjo Marrëveshje godet drejtpërdrejt kompetencat e presidentit, duke i reduktuar ato dhe duke i krijuar mundësinë një komisioni parlamentar për të bllokuar dekretet e presidentit në rast se ky komision e gjykon të arsyeshme, pa i kaluar ato në Kuvend, sikurse e kërkon Kushtetuta”, - deklaroi kryetari i LSI-së, i cili i cilësoi skandaloze ndryshimet e Rregullores së Kuvendit dhe veçanërisht nenin që ka të bëjë me dekretet e Presidentit të Republikës.
Meta deklaroi se Rama dhe Berisha po i japin ngjyrime të forta partiake shtetit të së drejtës, duke cenuar rëndë sistemin gjyqësor dhe demokracinë në vend. “Ky akt i ri, dhunues ndaj Rregullores së Kuvendit, ka synim të denigrojë dhe të gjunjëzojë Presidentin e Republikës nga dy drejtuesit e dy partive të vjetra, në mënyrë që të vazhdohet dhe t’i jepen ngjyrime të forta partiake shtetit të së drejtës, për përfitime personale të dy drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në kurriz të shtetit të së drejtës, të pavarësisë së Gjyqësorit, dhe njëkohësisht të demokracisë në vend”, - tha kryetari i LSI-së Ilir Meta.

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›