E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi firmos 6 dekrete, prova e dytë në Kuvend

Kandidaturat, në bazë të sugjerimeve te partive politike

Eljona Ballhysa

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka firmosur dje gjashtë kandidatura të reja për postet vakante në Gjykatën e Lartë. Për dekretimin e gjashtë gjyqtarëve presidenti Topi është bazuar në kriteret e propozuara nga grupi i ekspertëve, i cili u ngrit fill pas rrëzimit nga Kuvendi të kandidaturave të para për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kandidaturat e reja të presidentit Topi tashmë do të shqyrtohen nga Kuvendi në bazë të Rregullores së re të miratuar vetëm dy ditë më parë në seancë parlamentare. Kjo është prova e dytë e presidentit Topi me kandidaturat në Kuvend. Vetëm pak kohë më parë maxhoranca rrëzoi pesë dekretet e presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas PD-së, Topi nuk e respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit presidenti duhet të konsultohet me Kuvendin për emërimin e anëtarëve të këtij institucioni. Për dekretimin e gjyqtarëve të rinj presidenti është bazuar në kriteret e sugjeruara nga partitë politike parlamentare.
Kandidaturat
Presidenti i Republikës ka firmosur kandidaturën e Aleksandër Muskajt për një nga postet vakante të Gjykatës së Lartë. Muskaj është gjyqtar prej shtatëmbëdhjetë vitesh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ai ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Një tjetër kandidaturë është Arjana Fullani, gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vitesh. Ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bashkautore e tekstit “E drejta familjare”. Presidenti Topi ka dekretuar Andi Çelikun, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vitesh. Kandidaturat e tjera janë Evelina Qirjako, juriste prej nëntëmbëdhjetë vitesh dhe Guxim Zenelaj, gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së, si dhe Majlinda Andrea, gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vitesh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Shqyrtimi
Pas dekretimit nga presidenti, kandidaturat i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë. Në bazë të ndryshimeve në Rregullore, kryetarja e Kuvendit ia kalon ato menjëherë Komisionit të Ligjeve, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tri javëve nga marrja e kërkesës. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, Komisioni, nëpërmjet raportit të tij, i kërkon kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje. Kuvendi ka tri javë kohë për të shqyrtuar gjashtë dekretet e propozuara nga presidenti Topi.
Kriteret
Për të zgjedhur gjashtë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë Topi është bazuar në listën me 9 kritere të propozuara nga grupi i ekspertëve. Grupi i punës, për të hartuar listën e kritereve, mori parasysh katër nga propozimet e Partisë Socialiste dhe një propozim të Partisë Demokratike. Kandidaturat e Topit, përveç arsimit të lartë juridik, kualifikime shkencore dhe vjetërsisë në punë, duhet të mos kenë precedentë penalë, të mos kenë konflikte interesi gjatë ushtrimit të profesionit dhe të justifikojnë pasurinë e tyre.

Kandidatët
Aleksandër Muskaj, gjyqtar prej shtatëmbëdhjetë vitesh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Arjana Fullani, gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vitesh. Ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bashkautore e tekstit “E drejta familjare”.

Andi Çeliku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vitesh.

Evelina Qirjako, juriste prej nëntëmbëdhjetë vitesh.

Guxim Zenelaj, gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së.

Majlinda Andrea, gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vitesh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Guxim Zenelaj

Deklarata e pasurisë dorëzuar në vitin 2007
Funksioni në vitin 2007: Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Blerje trualli sip. 2000 m. 2 në Shëngjin 1.000.000 lekë
Të ardhura të siguruara nga shitja e 55.000 euro
Apartamentit në Tiranë
Gjendje kesh nga shitja e apartamentit 55.000 euro
Të ardhura nga paga vjetore dhe shpërblimet 1.950.000 lekë
Si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit
Të ardhurat nga paga e bashkëshortes 200.000 lekë
Të ardhura nga shitja e apartamentit 55.000 euro

Arjana Fullani
Deklarata e pasurisë dorëzuar në vitin 2007
Funksioni në vitin 2007: Drejtore në Shkollën e Magjistraturës

Shtesë në llogarinë bankare në Bankën 13.072.012 lekë
Amerikane të Shqipërisë
Shtesë në depozitën bankare në Bankën 249.388 lekë
Amerikane të Shqipërisë
Llogari rrjedhëse për pagat, shtesë 120.000 lekë
Shtesë në depozitën Bankare në Bankën 6.314 USD
Amerikane të Shqipërisë
Tërheqje nga llogaria bankare në Alpha Bank 3.205 euro
Kthim huaje nga person fizik 6.700.000 lekë
Shitje shtëpie banimi në Golem 67.900 Euro
Gjendje kesh nga shitja e shtëpisë 67.900 euro
Paga dhe shpërblime nga 2.604.850 lekë
shkolla e Magjistraturës
Paga dhe shpërblime nga bashkëshorti 8.411.699 lekë
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Shuma e paguar gjatë vitit 2007 136.432 lekë
Për Kredinë për blerje shtëpie në BSH
Shuma për t’u paguar për kredinë për 11.282.495 lekë
Blerje shtëpie në Bankën Shqiptare

Mediu kërkon post në qeveri

Pas një pauze pothuajse katërmujore larg kabinetit qeveritar, republikanët duken të vendosur të mos tolerojnë asnjë ditë më shumë mungesën e tyre në qeveri. Lideri i kësaj Partie, Fatmir Mediu, ka filluar negociatat me kryeministrin Berisha për të gjetur përfaqësuesin e ri të republikanëve në kabinetin qeveritar. Sipas burimeve, gjatë negociatave Mediu i ka përcaktuar kryeministrit Berisha muajin korrik si afatin përfundimtar për të plotësuar karrigen e lënë bosh në qeveri që prej dorëheqjes së tij më 15 mars. Ndërkohë që prej emërimit të Gazmend Oketës në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, posti i zëvendëskryeministrit ka mbetur vakant. Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu ka bërë të ditur për mediat se nuk do të kënaqet me pak. Ai kërkon në qeveri një poste të rëndësishëm për të përfaqësuar partinë që drejton. Ish-ministri i Mbrojtjes, kryetar i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen për shkak të tragjedisë së Gërdecit. Ai tashmë, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, është i zhveshur nga imuniteti i deputetit dhe ndodhet në hetim për përgjegjësinë e tij si ish-ministër në tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën rreth 26 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.

Topalli, vizitë dy-ditore në Bosnjë-Hercegovinë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është nisur dje për një vizitë zyrtare dyditore në Bosnjë-Hercegovinë, me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës, Niko Lozancic. Kryetarja Topalli dhe delegacioni që ajo kryeson do të priten në takime të veçanta nga krerët më të lartë të vendit, kryeministri Nikola Spiric, përfaqësuesit e kolegjiumit të dy dhomave të Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës dhe nga ministri i Punëve të Jashtme. Temë e bisedimeve dypalëshe do të jenë progresi, e ardhmja dhe sfidat e dy shteteve në rrugën integruese, bashkëpunimi politik dhe ekonomik, perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, marrëdhëniet dhe nismat rajonale në konfigurimin të ri ballkanik. Një takim i veçantë do të jetë edhe ai në “Butmir Base” me forcat paqeruajtëse shqiptare në Bosnjë, pjesë e operacionit të NATO-s “Përpjekje e përbashkët”, ku do të bisedohet gjerësisht mbi progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Aleancë dhe sfidat deri në mbylljen e këtij procesi. Kryetarja Topalli dhe delegacioni që e shoqëron do të zhvillojë dhe një pritje me komunitetin shqiptar që jeton e punon në Bosnjë-Hercegovinë.

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›