E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Ne do të bëjmë luftë pa kompromis ndaj korrupsionit”



Ministri i Jashtëm, njëkohësisht zëvendëskryeministër, Ilir Meta, është shprehur se qeveria do të bëjë luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, pa marrë parasysh ngjyrën politike të tij. Këtë deklaratë Meta e bëri ndërsa iu përgjigj interesimit të gazetarëve për raportin e TIA-s. “Unë dua t’ju siguroj se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë dy prioritetet kryesore të kësaj qeverie dhe pa asnjë diskutim që kjo do të jetë një luftë tepër konkrete jo vetëm përmes miratimit të ligjeve shumë të rëndësishme që janë bërë deri tani dhe po vazhdojmë në proces, por edhe përmes masave konkrete, përmes shembujve konkretë dhe jam i bindur që ne do ta fitojmë këtë luftë. Kjo do të jetë një luftë pa asnjë dallim politik, e cila do të bëhet në emër të forcimit të ligjit, të forcimit të shtetit të së drejtës dhe ne jemi për ndërtimin e një vendi europian, çka do të thotë më shumë siguri për biznesin për investitorët dhe njëkohësisht më shumë shërbime cilësore dhe transparente për të gjithë”, - është shprehur dje zëvendëskryeministri Meta.

Tahiri: “Qeveria e Saliut, Shkëlzenit, Mediut, Fazlliçit bën korrupsion mafioz”

Partia Socialiste ka reaguar dje menjëherë pas publikimit të raportit të TIA-s mbi nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Zëdhënësi i PS-së, deputeti Saimi Tahiri, u shpreh se raporti i TIA-s vërteton shqetësimin e PS-së për nivelin dramatik të korrupsionit në Shqipëri. “Raporti i Transparency International mbi indeksin e korrupsionit në Shqipëri vërteton shqetësimet e vazhdueshme të shprehura nga media, opinioni publik, organizatat e shoqërisë civile, nga partnerët tanë ndërkombëtarë e po kështu nga Partia Socialiste, mbi përhapjen dramatike të korrupsionit në vendin tonë dhe pamundësinë, paaftësinë e mungesën e vullnetit të qeverisë së Sali Berishës për ta luftuar atë. Raporti e rendit Shqipërinë në vendin e 95-të, plot 10 vende më poshtë se 1 vit më parë. Të parafundit në Ballkan, e të fundit nga vendet anëtarë të NATO-s. Pra Shqipëria e Saliut, Shkëlzenit, Argitës, Fazlliçit, Delijorgjit, Rrahmanit, Lulzim Bashës, Sokol Olldashit, Fatmir Mediut, Fari Balliut dhe e tufës mafioze që sot qeveris në Republikën personale e familjare të Sali Berishës, ka degraduar në spiralen e rrezikshme të korrupsionit elitar për shkak të atyre që sot gjenden të veshur me imunitetin familjar, ministror e parlamentar e që komandohen e mbrohen prej Sali Berishës, duke e renditur turpshëm vendin tonë të fundit të familjes europiane e duke lënë pas vetëm të tilla si Liberia, Senegali, Tongo, Zambia, Gabon, Nigeria e plot vende të tjera në luftë apo konflikte civile që zgjasin prej dekadash”, - është shprehur Tahiri. Sipas Partisë Socialiste, qeveria është kapur dhe është bërë njësh me korrupsionin galopant që mbizotëron kudo.
“Abuzimi me pushtetin, me financat shtetërore, me emërimet politike e partizane në administratën publike, cenimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht të institucioneve që duhet të hetojnë dhe japin drejtësi për veprat korruptive të kësaj maxhorance, si dhe tendenca për nënshtrimin e tyre ndaj qeverisë familjare të Sali Berishës, shoqëruar me varfërinë e skajshme dhe mungesën e shpresës për një të ardhme më të mirë, kanë kontribuar për përhapjen e korrupsionit në vend, si dhe kapjen e shtetit nga korrupsionin personal, familjar e klientelist të Sali Berishës e sejmenëve të tij. Partia Socialiste e denoncon Sali Berishën, familjarët e tij dhe shërbëtorët e komanduar prej tij, si përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje alarmante ku korrupsioni është kthyer në të vetmin motiv qeverisës e në pengesën e radhës për integrimin europian. Partia Socialiste e konsideron Sali Berishën dhe qeverinë e tij të paaftë e pa vullnet për të luftuar korrupsionin si shkaktarë kryesorë për këtë renditje të turpshme të vendit tonë ndër vendet më të korruptuara në botë. Zgjidhja e vetme është largimi i Sali Berishës dhe qeverisë së tij dhe përballja me drejtësinë për të gjithë ata që sot fshihen pas imunitetit familjar e ministror”, - është shprehur Tahiri.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›