TIA: Shqipëria, më keq se Ruanda e Uganda për nivelin e korrupsionit
Eljona Ballhysa
Shqipëria renditet pas shteteve afrikane si Ruanda apo Uganda përsa i përket nivelit të korrupsionit. Kjo vihet re në listën e publikuar dje nga organizata ndërkombëtare për transparencë (Transparency International), e cila publikoi raportin vjetor për perceptimin e korrupsionit në botë. Në bazë të këtij raporti, Shqipëria renditet në vendin e 95-të në listën e 180 vendeve që u përfshinë në këtë indeks sa i përket nivelit të perceptimit të korrupsionit në sektorin publik. Në krahasim me një vit më parë, ku Shqipëria ishte në vendin e 85-të me një koeficient 3.4, aktualisht ajo është e pozicionuar në vendin e 95-të, me një koeficient 3.2, si shteti i parafundit në rajon sa i përket nivelit të korrupsionit. Në zonën e Euro-Azisë Shqipëria renditet e 8-ta mes 20 vendesh.
Shqetësimi
Përfaqësuesi i Transparency International Albania, Endri Shabani, gjatë prezantimit të raportit për korrupsionin, deklaroi se niveli korrupsionit në Shqipëri është shqetësues.
“Në tërësi, rezultatet e indeksit 2009 janë shqetësuese. Ato tregojnë se korrupsioni vazhdon të jetë aty ku qeveriset pa transparencë, aty ku institucionet kanë nevojë ende për forcim dhe ku qeveritë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor antikorrupsion”, - deklaroi përfaqësuesi i TIA-s në Tiranë, Shabani. Sipas shkallës së vlerësimit nga 10 te 0, përkatësisht nga niveli më i ulët i korrupsionit në një vend që është shumë i korruptuar, Shqipëria është vlerësuar me një koeficient prej 3.2. Shqipëria është renditur e parafundit sa i përket rajonit ballkanik, si vendi më i korruptuar. Kështu, Serbia është pozicionuar në vendin e 83-të me koeficient 3.5, Rumania, Greqia, Maqedonia dhe Bullgaria në vendin e 71-të, me një koeficient 3.8. Mali i Zi është renditur në vendin e 69-të, me një koeficient 3.9, Kroacia në vendin e 66-të, me koeficient 4.1. Shqipëria lë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, e pozicionuar në vendin e 99-të, me koeficient 3. “Beteja antikorrupsion mbetet një sfidë për qeverinë, Parlamentin, Gjyqësorin dhe institucionet e tjera të administratës publike. Ai gjithashtu mbetet sfidë e hapur për shoqërinë civile dhe median. Zbatimi i strategjisë antikorrupsion nga ana e qeverisë, reformimi gjyqësor dhe dalja nga apatia e mosndëshkimit ligjor të rasteve korruptive janë një sfidë e madhe për politikën dhe pushtetin ligjor. Mungesa totale e transparencës së partive politike mbetet një problem serioz. Çështjet e dyshuara për korrupsion janë një sfidë për të vërtetuar pavarësinë e profesionalizmin e Gjyqësorit”, - deklaroi përfaqësuesi i TIA-s, Endri Shabani.
Në vendet e para në listën prej 180 shtetesh renditen Zelanda e Re, Danimarka, Singapori dhe Suedia, si shtetet me nivelin më të ulët të korrupsionit. Vendi ynë mbetet edhe prapa vendeve afrikane, si Ruanda, Maroku etj., ndërkohë që në vend të fundit të renditjes janë Afganistani dhe Somalia. Ndërsa drejtuesit e organizatës ndërkombëtare për transparencë e kanë vënë theksin te nevoja e një mbikëqyrjeje të rreptë të korrupsionit nga të gjitha institucionet. “Korrupsioni kërkon mbikëqyrje të fortë nga parlamentet, qeveritë dhe agjencitë e shteteve. Këto institucione duhet të ushtrojnë kontroll, duhet të zbatojnë ligjet, të bëjnë transparencë në buxhetet publike, transparencë te të ardhurat, si edhe të krijohet hapësirë për mediat e pavarura dhe një shoqërinë civile sa më aktive”, - është shprehur dje Huguette Labelle, drejtuesja e Transparency International.
18 Nentor 2009